Është zbardhur dinamika e aksidentit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit në aksin rrugor Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën dy motrat Elvisa Dhimaku, 22 vjeçe, dhe Rozina Dhimaku, 20 vjeçe. Një pasagjere tjetër, 24 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15, në vendin e njohur si “Pularia”, kur automjeti tip Lancia, i drejtuar nga Elvisa Dhimaku, u përplas kokë më kokë me një Audi, që drejtohej nga një 23-vjeçar.
Sipas policisë, shoferi i Audi-t, Kevi N., ka tentuar të parakalojë një tjetër mjet me shpejtësi të lartë, duke kaluar në korsinë e kundërt, ku po udhëtonin motrat. Përplasja e fortë frontale bëri që automjeti Audi të përmbysej në rrugë.
I riu u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Testet e alkoolit në vendngjarje treguan nivel të lartë, përkatësisht 1,52 mg/l dhe 1,42 mg/l, shumë mbi normën e lejuar.
Forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë për nxjerrjen e trupave dhe dhënien e ndihmës së parë. Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes tragjike.