Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit ka dhënë detaje lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës bashkë me Policinë e Kosovës në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve – institucion ky që funksion në kuadër të ministrisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë sot në mëngjes në ARBK kanë qenë të pranishme njësitë policore për krime ekonomike, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pasi pronari kishte ndërruar jetë, njofton Dukagjini.
“Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative. Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që regjistrohen apo kryejnë ndryshime në këtë institucion.
Bastisja në ARBK, Prokuroria me aksion për keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh
