Naser Lajqi nga organizata “Syri i Vizionit” lidhur me manipulimet e zbuluara gjatë rinumërimit të votave, ka theksuar se rastet e tilla nuk janë më gabime teknike, por struktura të organizuara mirë për të manipuluar rezultatin zgjedhor.
Ai ka folur pas aksionit në Malishevë, ku 15 kryesues të vendvotimeve u ndaluan nën dyshimet për manipulim votash.
“Duke u nisur me Prizrenin tash nuk do të na befasojë ky rinumërimi edhe keqpërdorimi i votave edhe në komunat e tjera kështu që nuk mund të çuditemi e mira e kësaj është që Prokuroritë Themelore janë aktivizuar menjëherë edhe rasti sot i Malishevës jep me kuptu që gjitha komunat ku ka filluar numërimi çdo dyshim i vogël duhet të aktivizohen prokuroritë dhe të marrin veprime konform ligjit për të garantuar një proces të rregullt edhe demokratike e jo manipulim dhe vjedhje në qendrat e votimit”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se në Malishevë janë shtuar mbi 9 mijë vota për disa kandidatë dhe janë larguar mbi 7 mijë vota për kandidatë të tjerë, duke nënkuptuar një manipulim të qëllimshëm dhe të organizuar nga komisionerë të përgatitur nga kandidatë të caktuar për deputetë.
“Rasti i sotëm ku shihet se diku mbi 9 mijë vota i janë shtuar kandidatëve por mbi 7 mijë u janë larguar kandidatëve të tjerë edhe kjo nënkupton që është një strukturim mirë i organizuar se si të manipulohet me vota dhe nuk kemi të bëjmë më me gabime teknike sepse është absurde me mendu që diku 17 mijë vota janë keqpërdorur nga ana e komisionerëve, po flas vetëm për Malishevën.
Nëse shohim nga ajo që ka dalë në media forma e manipulimit është pothuajse e njëjtë që i bie se këta komisionerë janë përgatitur nga kandidatë mos të themi nga partitë por nga kandidatë të caktuar që kanë kandiduar për deputetë në zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar tutje ai në emisionin FIVE.
