Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
“Aktakuzë ndaj 21 personave, për krime lufte në fshatin Reçak
Prishtinë, 30 Dhjetor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur
aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i
luftës kundër popullsisë civile”.
Të pandehurit O.S.,R. M., K.J., G. R., Ž.T., B. J., M. L., R. M., D. DJ., B.M., D. J., M. Š., D. A., S. V. , B. M., Z. S., M. J., G. P., D. N., Č. A. dhe Z. J., akuzohen se gjatë një operacioni të foracve policore serbe, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë dyzet e dy (42) civilë.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë
kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘’Pishat“, ‘’Gështenjat“ dhe ‘’Çesta“. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan.
Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të
pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
