Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj M.A., i cili dyshohet se ka grisur fletëvotimin e tij dhe atë të bashkëshortes gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur në një qendër votimi në një shkollë në qytetin e Shtimes.
“Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda”, thuhet në njoftim.
Në aktakuzë thuhet se më 28 dhjetor, gjatë procesit të votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, M.A. ka dëmtuar dokumentet e votimit në qendrën përkatëse.
Prokuroria ka theksuar se të gjitha rastet që lidhen me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025 do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.