Akuzohet për vrasjen e 8 civilëve në Reçak, fillon gjykimi në mungesë kundër Aksiq

Çedomir Aksiq është i akuzuari i parë për krime lufte në Kosovë, ndaj të cilit ka filluar gjykimi në mungesë. Procesi ka filluar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku këtë të hënë është mbajtur seanca fillestare, në rastin ku Aksiq që ka urdhërarrest ndërkombëtar është i akuzuar për krime lufte në Reçak e fshatra të tjerë

Memoriali përkujtimor i të vrarëve në Masakrën e Reçakut.

Gati 25 vjet pas masakrës së Reçakut, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka nisur procesi gjyqësor ndaj një serbi që akuzohet për krime lufte në këtë fshat.

Por, gjykimi ka nisur pa prezencën e Çedomir Aksiq, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime lufte, përveç në Reçak, edhe në fshatra të tjerë, krime të cilat i ka kryer nga janari deri në maj të vitit 1999.

Se cka përfshinë aktakuza, tregoi prokuroria speciale, Habibe Salihu, derisa lexoi pjesw nga aktakuza, duke pwrmendur se i njwjti, akuzohet edhe pwr vrasjen e tetë civilëve shqiptarë gjatë masakrës së Reçakut.

“I akuzuari Çedomir Aksiq me datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminale, grup ky i organizuar, i veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetet trupor ose të shëndetit, frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, udhërimi për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë, ashtu që ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimi, Hakin Murati, Sabri Murati, Arif Murati, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujota.”, ka thënë Salihu.

Por, paraprakisht Salihu njoftoi gjykatën për  veprimet që kanë ndërmarrë për të siguruar prezencën e të akuzuarit.

“Fillimisht kemi siguruar adresën të cilën e ka pasur në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk ka qenë asnjëherë prezent në atë adresë, gjatë kohës sa është kërkuar. Kemi vepruar sipas procedurave që janë të parapara, kemi lëshuar urdhëresë, në mungesë të sigurimit të prezencës të tij gjatë zbatimit të hetimeve kemi siguruar adresën ku i njëjti e ka në Republikën e Serbisë. Kemi bërë kërkesë përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me qëllim që të dërgohet ftesa, kemi marrë përgjigje Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e këtij të pandehuri. Meqë janë plotësuar të gjitha kushtet sipas Kodit të Procedurës Penale kemi pritur për afatin ligjor për gjashtë muaj për shpallje publike, me qëllim qe të njoftohet i njëjti, pasi ka kaluar afati prej gjashtë muaj kemi konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore dhe bazuar në dispozitat ligjore kemi paraqitur aktakuzë për gjykim në mungesë” ka vijuar ajo.

Më pas gjyqtarja Violeta Namani, ka marr aktvendim që ndaj të njëjit të zhvillohet gjykimi në mungesë, derisa ka njoftuar se ndaj Aksiqit është aktiv urdhërarresti ndërkombëtar.

“Gjykata konform nenit 303, paragrafi 4, të Kodit të Procedurës Penale merr aktvendim: Mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 303, paragrafi 7 dhe paragrafi 8 i Procedurës Penale. I akuzuari Çedomir Aksiq do të përfaqësohet nga mbrojtësi Zharko Gaiq gjatë tërë kësaj procedure penale.”, ka vijuar Namani.

Në masakrën e Recakut, nga forcat serbe më 1999 u vranë 45 persona.

Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të cilat edhe mundësojnë gjykymin në mungesë, Prokuroria Speciale ka ngritur gjashtë aktakuza ndaj personave të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika