Ish-ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në emisionin Politiko me Kushtrim Sadikun në Kanal 10, ka folur për vendimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, që zgjedhja e nënkryetarit nga Lista Serbe të bëhej përmes shortit.
Sipas saj, ky vendim është keqinterpretuar nga një pjesë e qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë, të cilët e kanë cilësuar si antikushtetues.
Ajo sqaroi se procesi ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Kryetari i Kuvendit tri herë radhazi u tha përfaqësuesve të Listës Serbe ‘A keni propozim tjetër, sepse sipas aktgjykimit Slavko Simiq nuk mund të hidhet më në votim’. Ata thanë jo dhe ky është propozimi ynë, sepse nuk ka kufizim”, tha Haxhiu.
Ajo tregoi se pasi Lista Serbe refuzoi të sillte një emër tjetër si kandidat për nënkryetar, kryetari Basha, i detyruar nga rregullorja, vazhdoi procedurën me short. Haxhiu theksoi se kjo procedurë është e paraparë qartë në rregullore, ku specifikohet se: “Në qoftë se nuk propozohet kandidati për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, vazhdon procedura me short i cili udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit”.
“Meqë Lista Serbe ka refuzuar të bëjë propozimin me emër tjetër, Kryetari i Kuvendit ka qenë i detyruar që të vazhdojë procedurën me short”, u shpreh Haxhiu.