Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kërkuar zëshëm drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, bashkë me mijëra protestues nga Shkupi.
Ahmeti u kërkoi që procesi të marrë epilog të pafajësisë për çlirimtarët pasi siç u shpreh ai të gjithë po gjykohen për vepra të pabëra, njofton Dukagjini.
“Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhën pranë atyre grilave akuzohen për vepra të pabëra. Të gjithë procesin e kemi përcjell mbase na dridhështe lëkura nën shtat kur dëgjonim akuza që na kishte bërë Beogradi e Moska si terrorist, kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë por jo duke ua mohuar lirin popujve të tjerë – ushtria jonë nuk ka qenë kundër asnjë populli e as kundër popullit serb, demonstrata e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë pasi mu këta që ndodhën në këtë gjykatë kanë kontribuar në stabilitetin, paqen e ardhmërinë e këtij shteti pasi kanë qenë drejtues të institucioneve të rëndësishme, president, kryeministër e kryetar parlamenti dhe kanë bërë marrëveshje për një Maqedoni më të mirë, nuk kanë luftuar kundër asnjë populli por për liri e pavarësi të shtetit të vet”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti, mes tjerash, u shpreh se kjo gjykatë do të duhej t’i nderonte ish-krerët e UÇK-së dhe jo t’i gjykonte.
“Pafajësia kërkohet nga ky shesh i Skendërbeut, nga ky shesh i Hasan Prishtinës, i Nexhat Agollit që braktisi gjithçka e humbi përgjithmonë vetëm që shqiptarët të ketë drejtësi e pavarësi”, tha Ahmeti.
Gjatë fjalës së tij, Ahmeti falënderoi ShBA-në, Evropën dhe NATO-n për mbështetjen që i kanë dhënë UÇK-së, duke ndihmuar në ndalimin e gjenocidit ndaj popullit të Kosovës,
“Amerikë, NATO, Evropa, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë e keni mbështetur përmes ushtrisë çlirimtare të Kosovës, duke ndalur gjenocidin ndaj popullit të saj”, u shpreh Ahmeti.