Kryetari i Ferizajt dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për një mandat të katërt, Agim Aliu, ka thënë se projektet nën udhëheqjen e tij janë premtime të mbajtura dhe kësisoj do të vazhdojnë sërish.
“Po besoj që nuk është çështja e emrit tim si kandidat për kryetar të Ferizajt por është në atë se si duhet të vazhdojë Ferizaj, deri tani i kemi dhënë një drejtim të progresit dhe transformimit e këtë e shohin e shijojnë çdo ditë qytetarët e Ferizajt, Por ne ende kemi projekte të tilla për Ferizajn ku shpesh herë jemi në garë edhe me Prishtinën. Ne kemi punuar pa ndalur gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes dhe asnjëherë nuk i kemi zhgënjyer qytetarët përkundrazi i kemi mbajtur premtimet e dhëna e kështu do të vazhdojmë edhe më tutje”, u shpreh Aliu.
Aliu, në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin, iu kundërpërgjigj kundër kandidatit të tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, lidhur me nënkalimet atë që ky i fundit e quan ‘betonizim të Ferizajt’.
Ai u shpreh se të gjitha deklarimet e Halitit janë shpifje dhe propagandë të cilat edhe në një formë i arsyeton pasi është fushatë teksa shton se të dy nënkalimet kryesore në Ferizaj nuk kanë kushtuar 50 milionë euro sa ka deklaruar Haliti, por të dyja bashkë kapin shifrën prej 13.5 milionë eurove.
“Kjo që dëgjuam është në bazën e shumë shpifjeve dhe në vazhdën e shumë propagandave që janë bërë dhe ka një lloj “kuptimi” për faktin se është fushatë. Mirëpo, qytetarët e komunës së Ferizajt e dinë më së miri të vërtetën e punës dhe angazhimit tonë. Pikërisht për qytetarët dua të jap një sqarim se u tha se nënkalimet kanë kushtuar 50 milionë euro dhe nuk kanë kushtuar 50 milionë euro kanë kushtuar vetëm 13.5 milionë euro të dy nënkalimet kryesore”, tha Aliu.
Megjithatë, Aliu pranoi se ka pasur shumë kryetarë të komunave tjera të vendit që e kanë konsultuar lidhur me projekte për nënkalim.
“Ka pasur dhe ka dhe i kam mbështetur kryetarët e komunës që kanë ardhur të më konsultojnë për nënkalimet dhe i kam mbështetur edhe me ekspertizë të arkitektëve të komunës për projekte të tilla në komuna”, ka thënë Aliu.
Aliu, mes tjerash, tregoi se për disa projekte u pengua edhe nga deputetët lokalë të Ferizajt.
“Deputetët lokalë opozitarë është e nënkuptushme se janë të pushtetit, nuk do të përdorja emra”, tha Aliu.