Amazon planifikon të përdorë inteligjencën artificiale për të përshpejtuar prodhimin e filmave e serialeve

Amazon ka njoftuar se planifikon të përdorë inteligjencën artificiale (AI) për të përshpejtuar dhe ulur kostot e prodhimit të filmave dhe serialeve televizive, një hap që po shkakton shqetësime në Hollywood për humbje vendesh pune dhe ndryshime të përhershme në industrinë e argëtimit.

Në Amazon MGM Studios, drejtuesi me përvojë në industrinë e filmit, Albert Cheng, po udhëheq një ekip të posaçëm që po zhvillon mjete të reja të AI-së, të cilat sipas tij do të thjeshtojnë procesin kreativ dhe do të reduktojnë shpenzimet.

Amazon planifikon të nisë një program testimi të mbyllur (closed beta) në muajin mars, ku partnerë të industrisë do të kenë mundësi të provojnë këto mjete, ndërsa rezultatet e para pritet të publikohen në maj, raporton Reuters.

Cheng e përshkroi AI Studio si një “startup” brenda Amazon-it, që funksionon sipas filozofisë së themeluesit Jeff Bezos, të ashtuquajturës “two pizza team” – ekipe aq të vogla sa mund të ushqehen me dy pica. Ekipi përbëhet kryesisht nga inxhinierë dhe shkencëtarë, me një numër më të vogël profesionistësh kreativë dhe biznesi.

Amazon po e përqafon hapur AI-në si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të buxheteve të prodhimit, që po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë financimin e filmave dhe serialeve të rinj. Sipas kompanisë, teknologjia do të ndihmojë në përshpejtimin e disa proceseve, duke mundësuar krijimin e më shumë projekteve në mënyrë më efikase.

“Kostoja e krijimit është aq e lartë, saqë është shumë e vështirë të prodhosh më shumë dhe të marrësh rreziqe të mëdha,” tha Cheng. “Ne besojmë se AI mund ta përshpejtojë procesin, por jo ta zëvendësojë inovacionin dhe elementin unik që njerëzit sjellin në krijim.”

Vendimi vjen në një kohë kur aktorë të njohur të Hollywood-it, si Emily Blunt, kanë shprehur frikë se rritja e AI-së – veçanërisht krijimi i aktorëve virtualë – mund të rrezikojë vendet e punës në industri.

Amazon theksoi se shkrimtarët, regjisorët, aktorët dhe dizajnerët e personazheve do të përfshihen në çdo fazë të prodhimit dhe se AI do të përdoret vetëm si mjet ndihmës për të rritur kreativitetin, jo për ta zëvendësuar atë.

Kompania po shtyn pothuajse çdo departament të saj të gjejë mënyra për përdorimin e AI-së, duke e përmendur suksesin e teknologjisë si një nga arsyet e shkurtimeve të rreth 30 mijë vendeve të punës që nga tetori – shkurtimet më të mëdha në historinë e Amazon-it – përfshirë edhe Prime Video.

Sipas Cheng, AI mund të ndihmojë Prime Video të kapërcejë sfidat e prodhimit në shkallë të gjerë, duke ndërtuar mjete që lidhin ofertat ekzistuese të AI-së për konsumatorët me nevojat specifike dhe kontrollin e detajuar që kërkon kinematografia profesionale. Këto mjete përfshijnë ruajtjen e qëndrueshmërisë së personazheve në skena të ndryshme dhe integrimin me softuerë standardë të industrisë kreative.

Amazon po mbështetet në Amazon Web Services (AWS) dhe planifikon të bashkëpunojë me disa ofrues të modeleve të mëdha gjuhësore, për t’u dhënë krijuesve më shumë zgjedhje në fazat para dhe pas prodhimit. Mbrojtja e pronësisë intelektuale dhe garantimi që përmbajtja e krijuar me AI të mos përdoret për trajnimin e modeleve të tjera janë thelbësore për funksionimin e kësaj nisme.

AI Studio po bashkëpunon tashmë me producentin Robert Stromberg (“Maleficent”) dhe kompaninë e tij Secret City, aktorin Kunal Nayyar (“The Big Bang Theory”) dhe kompaninë Good Karma Productions, si dhe animatorin e njohur Colin Brady, ish-pjesë e Pixar dhe ILM.

Studioja, e cila u lansua në gusht të vitit të kaluar, e përmend serialin e suksesshëm “House of David” si shembull se si AI mund të përdoret në të ardhmen në prodhimin e përmbajtjeve filmike dhe televizive.

Shija e redaktorit

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Të fundit nga rubrika