Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e vlerësuar atë si një mik të sinqertë dhe të përkushtuar të Kosovës.
Ambasada e Kosovës ka vlerësuar lartë Engel duke theksuar se ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i dalluar i Kongresit, por edhe si një mik i vërtetë që kujdesej për të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve të saj, njofton Dukagjini.
Sipas ambasadës, mbështetja dhe zëri i tij kanë qenë të rëndësishme në momente kyçe për Kosovën, duke lënë një trashëgimi që do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme.
“Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel. Ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i shquar i Kongresit, por si një mik i sinqertë që kujdesej për popullin tonë dhe të ardhmen tonë. Zëri dhe mbështetja e tij erdhën në momente kur kishin më së shumti rëndësi dhe do të kujtohen gjithmonë. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën. Trashëgimia e tij do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
