Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka vlerësuar si sukses të madh ushtrimin e përbashkët të reagimit ndaj krizave, i cili u mbajt javën e kaluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit, rreth 800 zyrtarë të Policisë së Kosovës morën pjesë në ushtrim, së bashku me Njësitë e Zjarrfikësve dhe Emergjencës, si dhe njësi të specializuara përfshirë SIU, SOU, EOD, UAS/Counter-UAS, Forenzikën dhe Zyrën për Marrëdhënie me Publikun.
Ambasada amerikane ka theksuar se ushtrimi u mbështet edhe nga RSO, MSG, PD, INL, ICITAP, MED, KFOR, LGF dhe PSU, duke nënvizuar bashkëpunimin e gjerë ndërinstitucional.
“Nga qentë dhe dronët, deri te automjetet taktike dhe ekipet e emergjencës, ky ushtrim dëshmoi gatishmërinë operacionale, koordinimin e shkëlqyer dhe përkushtimin e përbashkët për siguri”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.