Anëtari i PDK-së kritikon ashpër Memli Krasniqin: Mos hesht dhe mos të duket që je më i madh se Thaçi apo Veseli

Nijazi Kryeziu, aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka kritikuar kryetarin e kësaj partie, Memli Krasniqin, duke thënë se po i injoron figurat dhe aktivistët e vjetër të partisë

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së





Nijazi Kryeziu, anëtar i kamotshëm i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prizrenit, e ka kritikuar ashpër kryetarin e kësaj partie, Memli Krasniqin.

Këto kritika të Kryeziut vijnë si pasojë e dorëheqjes së Ramë Bujës nga pozita e nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë së PDK-së, dhe mosreagimit apo heshtjes, siç e ka quajtur ai, të kryetarit të partisë, Memli Krasniqi.

Kryeziu i është drejtuar me një reagim publik Krasniqit duke i thënë, “çele gojën Memli Krasniqi, fol!”, dhe duke vijuar “Mos hesht dhe mos të duket që je më i madh se Hashim Thaçi apo Kadri Veseli!”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Krasniqi është akuzuar se po tenton që t’i zëvendësojë figurat e luftës me figura të reja të cilat sipas aktivistit nga Prizreni, nuk kanë kontribuuar asnjëherë në PDK.

Ai, po ashtu, ka thënë se figurat e reja në zgjedhje kanë turp të përdorin logo të PDK-së apo ta përmendin UÇK-në.

Këta persona, sipas Kryeziut, Memli Krasniqi tashmë i ka zëvendësuar apo po tenton t’i zëvendësojë me figurat e vjetra të partisë.

“Nuk është Ramë Buja kafshatë që kapërdihet me heshtje. Mos mendo që mund ta injorosh krejt anëtarësinë e partisë, organet drejtuese e vlerat patriotike, çlirimtare e shtetformuese duke i zëvendësuar me gjysmën e klasës së gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, që i njeh në Prishtinën që asnjëherë nuk i keni fituar asnjë palë zgjedhje, bile as në një lagje të vetme në Prishtinë”, ka thënë Kryeziu.

“Me ata që dalin në zgjedhje dhe nuk përdorin as llogo as emblemë e sllogan të partisë, që kurrë nuk e përmendin as UÇK, as PDK-në! Demokratët i ke pas vete në çdo rrethanë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për lider, e liderët nuk janë vetëm për fotografi e ngjarje të mira!”, ka vijuar ai.

Kryeziu ka dhënë detaje për një vizitë të Krasniqit në komuna, ku sipas tij, në njërën nga to, një kryetar komune nuk ka pranuar që ta takojë me njerëzit me të cilët Krasniqi pretendohet se i ka në ekipin e tij e të cilët thuhet se kanë pozita të larta.

“Javë më parë ke bërë një tur vizitash nëpër komuna, në një vizitë që ke planifikuar në një komunë një kryetar komune të ka thënë hapur, nëse vjen me disa nga ata miqtë e tu të gjimnazit ‘Xhevdet Doda’ unë nuk të pres! Të ka përmendur emra konkretë me pozita të larta në parti. Pasi ke ndryshuar përbërjen e delegacionit, ke udhëtuar për vizitë në atë komunë”, ka thënë ai.

Tutje, Kryeziu ka thënë se ai bashkë më disa bashkaktivistë të tjerë nuk janë kundër prurjeve të reja në PDK, por kundër atyre që sjellin ideologji të reja.

“Në praktikë gjithmonë e kemi mirëpritur ardhjen e të rinjve, por nën çadrën e filozofisë politike të PDK-së. Nuk mund të heshtim e të duartrokasim që secili që vjen në PDK të sjellë ngjyra e logo të reja”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai e ka kritikuar Krasniqin për moskomunikimin me anëtarët e kryesisë së PDK-së. Sipas tij, tashmë të larguarin nga PDK-ja, Ramë Bujën, kryetari i PDK-së asnjëherë nuk e ka pritur në zyrën e tij.

“Partinë Demokratike e ke degdisur si të ishte OJQ e regjistruar pa statut, pa program e pa organe vendimmarrëse! Thirri gratë, burrat e rininë e partisë, të ulen e të diskutojnë, prej debatit nuk ke kurrë të keqe. E keni plandosur PDK në, e keni tkurrur, e keni lënë vëzhguese edhe në taborrin e opozitës”, ka thënë ai.

Dorëheqja e Ramë Bujës vjen pas tri vjetësh rikthim në PDK. Arsyet e dorëheqjes mendohet të jenë si shkak i mungesës së komunikimit të kryetar-nënkryetar, duke bërë të ditur se gjatë kësaj kohe, asnjëherë nuk ka qenë në zyrë të Memli Krasniqit për të biseduar me të për çështjet e partisë.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika