Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të diture se rreth orës 03:10, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës është arratisur i burgosuri F.M.
Sipas njoftimit të SHKK-së, i dënuari në fjalë ishte hospitalizuar nga 16 shkurti nga Qendra Korrektuese në Dubravë në QKUK, në repartin e Onkologjisë, njofton Dukagjini.
“I njëjti është i dënuar për veprën penale “Vjedhje e Rëndë” është arrestuar më 24.10.2025 dhe është duke mbajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh dhe do të lirohej më 08.06.2029″, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se menjëherë pas rastit, është njoftuar Policia e Kosovës dhe është themeluar komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij.
“Komisioni disiplinor, si masë e menjëhershme, ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore. Pas pranimit të raportit nga komisioni hetimor, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces”, thuhet në njoftim.
