Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar mbrëmë një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative.
Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Hetuesit e IPK-së, me autorizim të organeve të drejtësisë, kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarit në Vushtrri, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e tij nga Policia e Kosovës.
Rasti po hetohet në bashkëpunim me prokurorin përgjegjës, dhe priten veprime të tjera hetimore.