Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se “nuk do t’u jap para kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”.
Në një komunikatë për media, Bordi i AKK-së ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për këtë gjuhë, të cilën e ka cilësuar “fyese dhe paragjykuese” ndaj kryetarëve të komunave të zgjedhur me votë të lirë nga qytetarët e Kosovës, përcjell Telegrafi.
“Deklarata e z. Kurti përbën jo vetëm një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj kryetarëve të komunave, por edhe një cenim të parimeve themelore të barazisë institucionale dhe vetëqeverisjes lokale”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Asociacioni thekson se asnjë kryetar komune nuk është nën aktakuzë për vjedhje që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, ndërsa kujton se në nivel qendror ka zyrtarë me aktakuza, përfshirë ministra dhe zëvendësministra. “Përgjithësime të tilla pa bazë faktike dëmtojnë imazhin e pushtetit lokal dhe besimin e qytetarëve në institucionet komunale”, thekson më tej AKK.
Në reagim kujtohet gjithashtu se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, qytetarët kanë zgjedhur kryetarë nga të gjitha subjektet politike, madje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, duke ngritur pyetjen nëse deklaratat e Kurtit përfshijnë edhe ata që vijnë nga partia e tij.
AKK thekson se ndarja e buxhetit për komunat është e rregulluar me ligj dhe nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike apo elektorale, duke akuzuar se investimet kapitale shpesh janë bërë mbi baza partiake e jo sipas kritereve ligjore.
“Fondet publike janë të qytetarëve dhe ndahen për komunat sipas ligjeve në fuqi, jo sipas preferencave politike apo etnike. Ato duhet të shpërndahen me kritere të qarta, të barabarta dhe transparente”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës bën thirrje për respekt institucional, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërmjet niveleve të qeverisjes, në funksion të forcimit të demokracisë lokale dhe respektimit të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
“Pushteti lokal nuk kërkon privilegje, por respektim të ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat, pavarësisht përkatësive politike apo etnike”, përmbyllet reagimi.