Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shpalosur arritjet dhe sfidat gjatë 2025-ës, e ku u tha se të hyra vjetore gjatë këtij viti janë mbi 1 miliardë euro, ndërsa bizneset llogaritet të kenë qarkullim rreth 25 miliardë euro.
Ministri në detyrë i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati tha se Administrata Tatimore e Kosovës është një nga shtyllat kryesore në funksionimin e shtetit dhe mbushjen e buxhetit publik, ku theksoi ndër të tjera se pati edhe rritje të numrit të të punësuarve.
“Gjatë 5 viteve të fundit ATK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në rritjen e të hyrave të mbledhura ashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe një nga treguesit e kësaj performance është edhe tejkalimi i shifrës 1 miliard euro të hyrat nga tatimet apo të mbledhurat nga ATK, një fakt që e dëshmon se është një rritje e vazhdueshme e besimit të qytetarëve në institucionet tona. Konkretisht, ju them edhe raportin ditor që e pranoj si ministër, shifra prej 1 miliard euro për herë të parë në historinë e ATK-së është mbledhur apo është përmbushur me 16 dhjetor të këtij viti. Ende pa u mbyllur viti është shënuar rekord historik. Kjo shifër nuk është e rastësishme sepse ngjashëm ka performuar edhe aspekti ekonomik. Kemi biznese që këtë vit pritet ta mbyllin me rreth 25 miliard euro qarkullim, ndërkaq hiç më larg se para pesë viteve ishte 11.5 miliardë euro. Gjithashtu nuk është rritur vetëm qarkullimi por kemi edhe rritje të fitimit të bizneseve. Nëse marrim për bazë tatimin në fitimin e korporatave, pra si indikator e shohim që fitimi bizneseve tashmë ka tejkaluar shifrën prej 2 miliardë euro, pra pritet të jetë 2.3 miliardë euro, ndërsa para pesë vitesh ka qenë rreth 900 milionë euro. Ngjashëm kemi të bëjmë edhe me trendin e numrit të të punësuarve. Numri, apo shifra e të punësuarve në muajt e fundit tregon që ka arritur, apo ka prekur numrin prej 435 mijë vende pune aktive që kanë të raportuara në ATK, kurse para pesë vitesh ishte 350 mijë”, tha Murati.
Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni në shpalosjen e të dhënave vjetore tha se ky është moment historik për institucionin.
“Kisha dashur t’i vë theks kësaj shifre, sidomos duke pasur parasysh që ATK po përballet me mungesë të punëtorëve, që sillet rreth 30% dhe një moshë mesatare që kalon 51. Prapë ATK ka arritur të krijojë të hyra që tejkalojnë 1 miliardëshin. Sivjet kemi një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, e cila është rritje që e përcjellë tregun e viteve të fundit”, ka thënë ai.
Sipas ATK-së, kontributet pensionale kanë arritur vlerën 354 milionë euro, ndërsa në total tatimet dhe kontributet kanë shkuar në 1.366 miliardë euro.
Gjatë vitit 2025, ATK ka zhvilluar mbi 24 mijë kontrolle përmbushëse, me mbi 7 mijë vizita në terren, duke rezultuar me 86.3 milionë euro tatim shtesë (tatim, ndëshkime dhe interes). Po ashtu, janë shqiptuar mbi 23 mijë gjoba, përfshirë mbi 11 mijë gjoba mandatore, me vlerë totale rreth 3 milionë euro.
Në kuadër të luftimit të informalitetit dhe shmangies tatimore, ATK ka identifikuar mbi 240 mijë tatimpagues aktivë, prej tyre mbi 140 mijë biznese dhe mbi 99 mijë persona fizikë jo afaristë. Gjithashtu, janë regjistruar mbi 1 mijë punëtorë, ndërsa numri mesatar i punëtorëve të deklaruar përmes formularëve ka kaluar 452 mijë.
Po ashtu, janë zhvilluar 88 aktivitete për shmangie tatimore, janë iniciuar 19 kallëzime penale, ndërsa janë përgatitur 41 raporte informuese për Prokurorinë.
ATK ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka fiskalizuar mbi 2 mijë biznese të reja, ka instaluar mbi 4 mijë pajisje elektronike fiskale, si dhe ka trajtuar mbi 5 mijë kërkesa për rimbursim./EO