Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë në Prishtinë kanë dalë në protestë me autobusët për pagat e papaguara para objektit të Komunës dhe ndërtesës së Qeverisë.
Derisa sindikata e Trafikut Urban kërkon që Komuna të marrë përgjegjësinë për borxhet e deritashme, Komuna fajëson Qeverinë në detyrë për bllokimin e fondeve.
Protestuesit kërkuan falje nga qytetarët për ndërprerjen e shërbimit, duke theksuar se veprimet e tyre janë tërësisht sociale dhe nuk kanë karakter politik.
Përfaqësuesi i sindikatës, Ilmi Gashi, theksoi se Komuna e Prishtinës duhet të marrë përgjegjësinë për borxhin prej 3.2 milionë eurosh ndaj ndërmarrjes. Ai tha se komuna ka ndarë vetëm 600 mijë euro për Trafikun Urban.
Gashi theksoi se punëtorët e kanë mbajtur qarkullimin me të ardhura vetanake, ndërsa shpenzimet janë të larta, pasi sipas tij, 51 autobusë konsumojnë deri në 10 mijë litra naftë në ditë.
Ai shtoi se punëtorët kërkojnë që fondet të lëshohen për të siguruar pagat dhe vazhdimin e punës.
Edhe përfaqësuesit e operatorëve privatë paralajmëruan se nuk do të tërhiqen derisa institucionet lokale dhe qendrore të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.
Pas protestës dyorëshe, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shprehu keqardhje për situatën dhe deklaroi se bllokada vjen për shkak të mbajtjes së paligjshme të fondeve nga Ministria e Financave.
Ai kërkoi takim urgjent me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin Hekuran Murati, duke thënë se është i gatshëm të takohen “kudo dhe kurdo”.
Rama tha se zgjedhjet lokale kanë përfunduar dhe fondet duhet të transferohen menjëherë në llogarinë e Komunës, për të garantuar pagat e punëtorëve dhe për t’i dhënë fund krizës në transportin publik të kryeqytetit.