Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka deklaruar se po shtohen dëshmitë që lidhin presidentin serb Aleksandar Vuçiq me të ashtuquajturin “Snajper turizmin” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1995).
Sipas Stojkoviqit, dokumente dhe materiale të publikuara së fundmi tregojnë se Vuçiq vetë kishte pranuar se ishte paraqitur si vullnetar në zonat e kontrolluara nga serbët rreth Sarajevës.
Në një deklaratë të asaj kohe, të publikuar nga Stojkoviq, Vuçiq thotë:
“Kur filloi lufta në Bosnje, shkova në pjesën serbe të Sarajevës dhe u paraqita si vullnetar. Nuk kam qenë anëtar i asnjë partie, thjesht shkova vetë. Kam qenë një kohë në Varrezat hebraike.”
Këto deklarata lidhen me hetimin e nisur në Milano mbi fenomenin e njohur si “Safari i snajperëve”, të ngritur nga gazetari italian Ezio Gavazzeni.
Sipas padisë së tij, persona të pasur paguanin shuma të mëdha parash — deri në 100 mijë euro për çdo civil të vrarë — për të qëlluar mbi qytetarët e pambrojtur nga pozicionet serbe në kodrat përreth qytetit të rrethuar.
Rrethimi i Sarajevës, i cili zgjati gati katër vite, shkaktoi mbi 11 mijë viktima dhe u shënua nga granatime të vazhdueshme dhe sulme snajperësh nga forcat serbe. Prokuroria italiane, e udhëhequr nga prokurori i antiterrorizmit Alessandro Gobbis, po shqyrton dëshmi, raporte dhe materiale arkivore, përfshirë një raport të ish-kryetares së Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq.
Gazetari Gavazzeni pretendon se të paktën njëqind persona morën pjesë në këto “ekspeditë vdekjeprurëse”.
Në këtë kontekst janë rikthyer në vëmendje edhe pamjet e shkrimtarit dhe politikanit rus Eduard Limonov, i cili ishte filmuar teksa qëllonte nga pozicionet serbe nën drejtimin e Radovan Karaxhiqit — i dënuar më vonë për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Hetimet në Itali po vijojnë, ndërsa autoritetet synojnë të identifikojnë të gjithë të përfshirët potencialë dhe dëshmitarët e mundshëm të këtij kapitulli të errët të historisë së luftës në Bosnje.
Por pikërisht këtu lind kontrasti më skandaloz: Krimet e dokumentuara të ushtrisë serbe në Sarajevë — asnjëherë të hetuara deri sot nga drejtësia ndërkombëtare. Ndërsa një akuzë e fabrikuar në Kosovë – trafikimi i organeve – u ngrit si proces ndërkombëtar kundër ish-liderëve të UÇK-së.
Kjo dilemë u ngrit publikisht në dhjetor të vitit 2022 nga historiani dhe ish-diplomati Ylber Hysa, në dokumentarin hulumtues “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post.
Në këtë dokumentar — i cili trajton mënyrën se si narrativat serbe depërtuan në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë — Hysa theksonte se ndërsa Serbia kreu krime sistematike në Bosnjë dhe Kosovë, drejtësia ndërkombëtare shpesh mbylli sytë.