Avokatja Fetije Gashi-Bytyqi, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me ngjarjen e sotme në Suharekë, përkatësisht në stacionin policor, ku një person dyshohet se ka bërë vetëvrasje gjatë ndalimit prej 48 orësh.
Ajo ka deklaruar se nuk ka hasur në një rast të tillë asnjëherë më parë.
“Që brenda 48 orëve, kur ndalohet një person, të arrihet që ai të bëjë vetëvrasje brenda institucioneve të sigurisë, ku është Policia e Kosovës, është diçka e paprecedentë,” është shprehur ajo.
“Komunikata e kryeprokurorit të Prizrenit ishte në nivel, i cili thotë se dyshohet se është ngulfatur, sepse… edhe në praktika të tilla, mes vrasjes dhe vetëvrasjes, siç thuhet në shprehjen popullore, i ndan vetëm një qime floku. Edhe në këtë drejtim, dyshimet preliminare janë se dyshohet për vetëvrasje, mirëpo nuk ka sqarime më tej se ajo ngulfatje me çfarë ka ndodhur, sepse në qendrat e ndalimit në polici, ku personi ndalohet për 48 orë, janë të atilla… ku personit që i merret liria, i hiqen të gjitha gjësendet. Pra, duhet të parandalohen raste të tilla”, ka shtuar më tej ajo.
Avokatja Gashi-Bytyqi gjithashtu është shprehur se gjatë fazës së privimit nga liria, personat që mbahen në ndalim mund të dëshpërohen dhe të tentojnë të bëjnë vetëvrasje.
Lidhur me rastin e sotëm të ndodhur në Suharekë, ajo ka thënë se nuk mund të konstatohet që sot nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje, pasi këtë do ta përcaktojnë ekspertët mjekoligjorë.