Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka deklaruar se është ftuar nga Policia e Kosovës për të dhënë dëshmi lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë, pasi më herët kishte dorëzuar një dosje me prova.
Ai akuzoi gjithashtu kompaninë KEDS dhe institucionet përkatëse për përpjekje për minimizim të rastit, duke pretenduar se qytetarët po manipulohen.
Sipas Azemit, ky është një ndër skandalet kryesore për të cilin ai po angazhohet, duke kërkuar që të mos ketë ndërhyrje në proces dhe që provat e qytetarëve të ruhen.
“Unë jam ftuar sot nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqit dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar…Ky skandal po mundohet me u minimizu nga ana e KEDS-it dhe ministrisë ku akoma po manipulojnë me qytetarët”, ka thënë Azemi.
“Ky është skandali kryesor në të cilin unë po punoj për të bërë një zgjidhje. Prandaj në Prokurori po e jap këtë dëshmi, në Polici po e jap këtë dëshmi dhe po kërkoj që mos të lejohen intervenimet që të hiqen provat nga qytetarët e Kosovës. Uroj që ky proces të shkoj mirë dhe qytetarët të kompensohen në fund… Unë po kthehem prapë brenda për të vazhduar dëshminë time”, ka shtuar Azemi.
LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.