Pas lavdërimit nga ana e Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati me qarkullimin rekord të bizneseve për gjashtë mujorin e parë të vitit, siç ndodhë rëndom, një kundërpërgjigje i erdhi nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Kjo e fundit, përmes rrjetit social “Facebook” ka deklaruar se në rritjen e qarkullimit ka ndikuar rritja e çmimeve dhe se nëse Murati s’pajtohet me këtë, atëherë ky i fundit të tregojë se cilat janë kompanitë me qarkullimin më të madh.
‘‘Tregoni ekonomistit – interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre. Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë. Nëse nuk pajtohet me faktet dhe konceptet, unë jam gati për përballje veç le ta cakton kohën dhe vendin’’, ka shkruar ajo.
Këtë, përsëri përmes platformës së njëjtë, e ka kundërshtuar Ministri në detyrë, Murati i cili thotë se ishte vet LDK që kishte kundërshtuar ligjin për çmimet tavan.
“Kur jemi te rritja e çmimeve, rritja më e madhe ka ndodhur tek produktet bazike ushqimore, një pjesë si rezultat i rritjes globale të çmimeve, por pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rezultat i pangopshmërisë së supermarketeve – gjë që dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre. Dhe ishte pikërisht LDK-ja me ekonomistët e saj, që sot derdhin lot krokodili për inflacionin, të cilët e kundërshtuan Ligjin për Çmime Tavan, për të mundësuar supermarketet të rrisnin çmimet në kurriz të qytetarëve.”, ka shkruar Murati