Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se KESCO ka bërë kërkesë për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, pasi siç thotë ajo, po fillon edhe një proces i ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike.
Deputetja Bajrami ka thënë se ka disa muaj që është ngritur çështja se në vjeshtë do të ketë krizë energjetike, ndërsa sipas saj kjo krizë po ndodh në muajin korrik.
Ajo ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për moszbatim të subvencionimit të tarifave për energji elektrike.
Sipas saj, në këtë inflacion me 14.1 për qind, një ngritje e çmimeve të faturave energjetike do t’i gjunjëzonte qytetarët.
“Prej muajit shkurt deri më tani jeni krenarë që keni subvencionuar, ku mbetet përgjegjësia institucionale juaj në këtë mes?”, ka pyetur Bajrami.
Ajo ka thënë se shqetësuese janë edhe shifrat alarmante me COVID-19, ku gjatë ditës së mërkurë 40 për qind prej të testuarve kanë rezultuar pozitiv.
Ajo ka pyetur Qeverinë e Kosovës se a kanë qytetarët e vendit mjete për të blerë barna për shërim, pasi po përballen me krizë ekonomike.
AAK: Të trajtohet urgjentisht tema e furnizimit me energji elektrike, Kosova do të përballet me kolaps
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht ta trajtojë temën e furnizimit me energji elektrike.
Shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se nga informacionet që kanë nga Zyra e Rregullatorit për energji dhe KEDS, kriza do të jetë e papërballueshme.
“Kërkesa jonë është eksplicite. Uluni para se të hyjmë në kolapsin energjetik për të trajtuar këtë temë. Nëse e lini si vitin e kaluar me kërkesa për të krijuar gjendje emergjente, ju garantoj që Kosova do të jetë në kolaps, dhe do të rrezikoni jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe sigurinë kombëtare të vendit”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu, deputeti i AAK-së, ka theksuar se nga takimet e zhvilluara si parti opozitare me ZRrE, KEDS, dhe përfaqësus të KESCO-s, kanë vërejtur se “ka një neglizhencë shumë serioze të Qeverisë në raport me trajtimin e një krize që po na vjen”.
“Derisa ne po flasim, Qeveria ende nuk i ka transferuar mjetet të cilat i ka zotuar për subvencionimin e energjisë elektrike dhe, si rrjedhojë, ka ardhur deri te një kërkesë për tarifa të jashtëzakonshme. Është e papranueshme që të vazhdohet me avazin e vjetër”, shtoi ai.
Një tjetër kërkesë nga ana e AAK-së drejt Qeverisë së Kosovës ishte edhe trajtimi i procesit të kontraktimit të kontratave afatgjate.
“Kërkojmë që ta riktheni menjëherë task-forcën që merret me krizën që po na vjen”, është shprehur ai.
“Çka bën Qeveria e Kosovës, nuk bën asnjë veprim, ka një pazotësi klasike që të merret në mënyrë proaktive me çështjet që do të na vijnë”.
Ai nuk la pa e përmendur edhe marrëveshjen për energjinë me Serbinë, e cila ka paraparë një udhërrëfyes dhe zbatimin e pikave.
“Serbia ende nuk e ka dorëzuar listën e konsumatorëve dhe nuk ka asnjë fjalë të vetme nga qeveria”.
Sipas tij, kjo qasje e dëmton sovranitetin e Kosovës dhe seriozitetin dhe mbi të gjitha qytetarin e Kosovës, që në një të ardhme të afërt do të ballafaqohet me ngritje të energjisë elektrike.