Profesori i të drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në emisionin FIVE, Baraliu tha se gjykata shpesh ka marrë vendime që nuk janë gjithmonë të qëndrueshme dhe në përputhje me njëra-tjetrën, duke shtuar se në këtë rast, duhet të ishte marrë parasysh neni 67, paragrafi 4 i Kushtetutës.
Sipas tij, ky nen kërkon që zgjedhja e deputetëve për kryetar nga komunitetet pakicë të bëhet nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb, jo domosdoshmërisht nga Lista Serbe.
“Fatkeqësisht nga ajo qe pashë nga njoftimi shoh që po kjo gjykatë jo vetëm kësaj radhe edhe herëve tjera ka ditur të befasojë me vendime hera herës jo edhe krejt kondaktirore, por jo edhe në përputhje të plotë me njëra tjetrën. Por, edhe me mos konsekuencë në respektimin e plotë dhe absolut kushtetues. Në këtë rast mendoj se në nenin 67 paragrafi 4 është dashur të jetë pikësynim dhe pik vështrim i kësaj gjykate në rastin konkret sepse atje thuhet se zgjedhja e deputetëve kandidatëve për kryetar nga komunitet pakicë duhet të vijë nga radhët e deputetëve që mbajnë vende të garantuara të komunitetit serbë nuk thotë të listës serbe. Ndërkohë që ky është dispozitë e kushtetutës që është dashur të respektohet nuk është respektuar”, ka deklaruar ai.
Baraliu theksoi se vendimi i Gjykatës është bazuar në një dispozitë të rregullores së punës së Kuvendit, një akt nënligjor, duke mos respektuar prioritetin e Kushtetutës.
“Ky vendim bazohet në dispozitën, përkundrazi pra kushtetutës, duke mosrespektuar këtë që thashë, ajo ka marrë në tërësi të plotë një përmbajtje të një dispozite të rregullores së punë së kuvendit e cila është miratuar shumë shpejt dhe në mënyrë unanime dhe pa mos vigjilencën e deputetëve të shumicës këta të Listës Serbe kanë futur një dispozitë aty në kundërshtim me kushtetutën. Gjykata është bazuar pikërisht në nenin përkatës të rregullores së punës së kuvendit ndërkohë rregullorja është akt nënligjor, ndërsa kushtetua është akti më i lartë juridik i një vendi, nuk e ka respektuar nenin 67 paragrafin 4 të Kushtetueses ndërkohë thjesht prioritet i ka dhënë një dispozite të një rregulloreje”, ka deklaruar Baraliu në emisionin FIVE.