Barcelona është rikthyer në “Camp Nou” pas më shumë se dy vjetësh dhe e ka festuar kthimin me një fitore bindëse 4:0 ndaj Athletic Bilbaos, në ndeshjen e javës së 13-të të La Ligës.
Barça nuk kishte luajtur në shtëpinë e saj që nga maji 2023, për shkak të punimeve të rinovimit që nisën në qershor të atij viti.
Ndeshja nisi furishëm për katalunasit. Robert Lewandowski shënoi që në minutën e 4-t, duke i dhënë epërsinë Barcelonës.
Në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, Ferran Torres realizoi golin e dytë, duke mbyllur pjesën e parë me rezultat të sigurt.
Vetëm tre minuta pas rifillimit të pjesës së dytë, Fermin Lopez shënoi për 3:0. Athletic Bilbao mbeti me një lojtar më pak në minutën e 54-t, pasi Oihan Sancet u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Lopezit.
Në minutën e 91-t, Ferran Torres vulosi fitoren me golin e dytë personal dhe të katërtin për Barcelonën.
Me këtë fitore, Barça shkon në 31 pikë, ndërsa Bilbao mbetet në kuotën e 17 pikëve.
Punimet në “Camp Nou” vazhdojnë, por stadiumi i rinovuar pritet të ketë kapacitet prej 105 mijë vendesh, duke mbetur arena më e madhe në Evropë.