Basha: Kam përgjegjësi ta konstituoj Kuvendin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë se pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi mbetet funksional dhe ka kuorum për të vijuar punët e tij.

Basha tha se vendimi për ta përmbyllur seancën konstituive është marrë mbi bazën e Rregullores së Punës së Kuvendit dhe përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Siç e patë në këtë mbledhje të Kryesisë nuk ka marrë pjesë dy nënkryetar nga subjekte politike, Vlora Çikatu dhe Kujrim Shala. Nuk kemi pasur kuorum dhe është pamundësuar mbledhja e Kryesisë. Për mua ka qenë një mbledhje vetëm konsultative që do të konsultohem me nënkryetarët për hapat e radhës. Unë do të jap arsyetimin para jush për konstituimin e Kuvendit. Siç dini kryetari ka zgjedhur kryetarin dhe 4 nënkryetarë. Kryesia e Kuvendit ka të zgjedhur 5 nga 6 anëtarë e saj që bëjnë 80 për qind e Kryesisë, është funksionale dhe kemi kuorumin e mjaftueshme për të vazhduar punët tona…

Siç e dini pika katër në seancën konstituive është ezauruar sepse të gjithë deputetë nga komuniteti serb janë votuar tri herë. Si kryetar kam qenë para një pozite ose të ndaloj punimet e Kuvendit ose të vazhdoj me punimet e Kuvendit me një Kryesi funksionale ku i kemi 5 nga 6, për të vazhduar punët. Unë kam thënë se Kuvendi nuk mund të mbetet jo funksional si shkak i zgjedhjes së një nënkryetari. Kam përgjegjësi para qytetarëve, institucioneve dhe para miqve ndërkombëtar që ta funksionalizoj Kuvendin. Baza ime ka qenë rregullorja e punës së Kuvendit”, ka thënë Basha.

“Për mua ka qenë e rëndësishme që pika 4 e rendit të ditës është ezauruar, dhe ka qenë e rëndësishme që ne mos ta bllokojmë shtetin për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, por të vazhdojmë me punën e Kuvendit”, ka shtuar Basha.

Të fundit nga rubrika