Kryeparlamentari Dimal Basha ka deklaruar se nuk ka gjetur mbështetjen e shefave të grupeve parlamentare të partive politike për pikat e diskutimit që ishin në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit këtë të enjte.
Basha u shpreh se asnjëherë deri tani nuk ka ndodhur që të mblidhet Kryesia e Kuvendit pa u formuar Qeveria, por sipas tij arsyet janë pasi siç tha ai vendi është në rrethana të jashtëzakonshme, njofton Dukagjini.
“Fillimisht ju njoftojë që arsyeja e vetme e thirrjes së mbledhjes së Kryesisë ka qenë se jemi në rrethana të jashtëzakonshme. Është e vërtetë që asnjëherë në historinë e Republikës nuk kanë ndodhur mbledhjet e kryesisë pa votimin e Qeverisë. Por, meqenëse ditën e diel nuk u votua Qeveria atëherë unë duke marrë parasysh disa çështje urgjente që e presin vendin kam dashtë me i thirre anëtarët e Kryesisë për me i diskutu këto çështje”, u shpreh Basha.
Basha, mes tjerash, u shpreh se ka planifikuar të thërras seancë të jashtëzakonshme nesër, por se nuk ka gjetur mirëkuptim për këtë.
“E para ka qenë buxheti i RTK-së. Formën e vetme me ecë përpara e kam parë që ne si Kryesi i themelojmë grupet parlamentare, ndarjen e komisioneve, i votojmë, pastaj kam kërkuar të votohen raporti i RTK-së dhe të ekzekutohet buxheti për RTK-në që duhet të ndodhë brenda ditës… Çështja e dytë ka qenë diskutimi për buxhetet e tri komunave që kanë mbetë… Çështja e tretë ka qenë buxheti vjetor i Republikës. Në asnjë prej këtyre pikave nuk kam gjetur mirëkuptim”, ka thënë ai.