Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit, në fillim të takimit, kryeparlamentari Basha e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës Mbretërisë së Bashkuar për rolin e saj gjatë luftës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e shtetit, ekonomisë dhe institucioneve demokratike të vendit.
Basha thuhet se e njoftoi diplomatin britanik edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar procesin e seancës konstituive të Kuvendit dhe reformat demokratike që po ndërmerren.
Ai siguroi ambasadorin Hargreaves se Kosova mbetet e vendosur për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve, duke e theksuar orientimin e qartë drejt integrimit evropian dhe synimin për anëtarësim në NATO.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves e uroi kryetarin Basha për detyrën e re dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim dhe intensifikim të raporteve me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.
Kjo vizitë vjen në një periudhë kur u konfirmua se zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk do të zhvillojnë takime me kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit qeveritar brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa vendi të ketë një qeveri me mandat të plotë.