I dërguari i Bashkimit Evropian për çështjet e sanksioneve, David O’Sullivan, ka udhëtuar në Uashington së bashku me një ekip ekspertësh për të diskutuar me zyrtarë amerikanë mbi vendosjen e masave shtesë ndaj Rusisë, ka njoftuar të hënën Komisioni Evropian.
Vizita vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se është i gatshëm të kalojë në një fazë të dytë të kufizimeve ndaj Moskës, duke sinjalizuar ashpërsim të sanksioneve për shkak të luftës në Ukrainë.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, konfirmoi se Brukseli po punon ngushtë me Uashingtonin për harmonizimin e masave të reja, duke theksuar se institucionet evropiane janë optimiste për bashkëpunim më të mirë pas vështirësive të muajve të parë të vitit.
Ai kujtoi se në atë periudhë, Trump kishte zgjedhur të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin, për mundësinë e paqes në Ukrainë.