Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka përfunduar dëshminë e saj në Prokurorinë e Posaçme pas rreth një ore qëndrimi në ambientet e SPAK.
Në një deklaratë për mediat pas daljes, Balluku konfirmoi se ishte paraqitur në përputhje me kërkesën e organit të akuzës lidhur me një çështje që ndodhet në hetim. Ajo theksoi se e konsideron pjesëmarrjen në këtë proces si një detyrim qytetar dhe institucional ndaj drejtësisë.
“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e SPAK për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe si zyrtare publike, e shoh këtë si një proces që besoj se do të jetë i bazuar në transparencë, llogaridhënie dhe mbi parimet e pandryshueshme të drejtësisë”, deklaroi Balluku.
Ajo u shpreh shpresëplotë se hetimet do të zhvillohen me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet e integritetit institucional.
