Ben – Meir për Dukagjinin: ShBA ka mesazh të qartë për Kurtin, marrëveshja të nënshkruhet më 27 shkurt

Profesori amerikan, Alon Ben – Meir, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka deklaruar se ShBA-ja ka dhënë mesazh të qartë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se plani evropian duhet të pranohet në takimin e 27 shkurtit

Alon Ben-Meir, profesor amerikan

Tashmë nuk është sekret se kërkesë kryesore e ShBA-së dhe BE-së është që Kosova ta pranojë planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Edhe pse aty nuk përfshihet njohja reciproke dhe as nuk është marrëveshje finale, ajo shihet si rrugë e duhur nga ndërkombëtarët për t’i ulur tensionet mes dy vendeve.

Por, është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e cila del të jetë problematike për krerët e institucioneve të Kosovës.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij. Ndërkaq, 10 vjet nga marrëveshja e 2013-tës, nuk ka pasur ndonjë hap për themelimin e tij, me frikën se mund të formohej një “Republika Srpska” e re, e njëjtë me atë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në takimin i cili pritet të mbahet me 27 shkurt në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, kjo çështje ka mundësi të marrë epilog në kuadër të planit evropian, gjithmonë nëse kjo marrëveshje pranohet nga të dyja palët.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, profesori amerikan, Alon Ben – Meir, thotë se vetë fakti që sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e ka injoruar Kurtin në Munih të Gjermanisë, duke mos u takuar me të, është mesazh i qartë se ShBA dëshiron që marrëveshja Kosovë – Serbi të nënshkruhet të hënën me 27 shkurt.

Sipas Ben – Meir, arritja e një marrëveshjeje të hënën, do të ishte “një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së tensionit mes dy vendeve”.

“Fakti që Blinken ‘injoroi’ kryeministrin e Kosovës Kurti në Mynih është një mesazh i qartë për Kurtin se administrata amerikane dëshiron që marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruhet më 27 shkurt në Bruksel”, thotë ai në përgjigjen për Dukagjinin.

Qasja e Kurtit kundër Asociacionit, sipas profesorit amerikan, mund ta dëmtojë interesin kombëtar të Kosovës dhe po ashtu edhe raportet me ShBA-në.

“Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtë të përcaktojë politikat e saj. Por, qasja e Kurtit në muajt e fundit mund të rrezikojë ta tjetërsojë SHBA-në dhe të minojë interesin kombëtar të Kosovës. Kurti dhe autoritetet e tjera kosovare padyshim e dinë se mbështetja e Uashingtonit në këtë proces është thelbësore dhe administrata e Biden, e cila ka një vend të butë për Kosovën, nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që në asnjë mënyrë do të minonte pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, ai thotë se nëse arrihet marrëveshja më 27 shkurt, megjithëse nuk është finale, ajo do ta lehtësojë “me kalimin e kohës njohjen reciproke”.

“Një shtytje për të nënshkruar marrëveshjen ka ardhur nga të gjitha anët – SHBA, Franca, Gjermania dhe vende të tjera të BE-së. Ky propozim fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve që është një proces i domosdoshëm që do të lehtësojë me kalimin e kohës njohjen reciproke”, ka deklaruar Ben – Meir.

Sipas tij, ShBA dhe BE janë duke tentuar që ta largojnë Serbinë nga Rusia, e cila është duke u përpjekur që ta shtrijë ndikimin e saj edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Duhet të kemi parasysh se edhe pse presidenti i Serbisë, Vuçiq, është larg njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërmarrja e disa hapave në rritje të cilat mbështeten nga SHBA-ja dhe BE-ja do ta shtynte Serbinë më afër BE-së. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë moment, sepse demokracia në Serbi ka pësuar rënie në vitet e fundit, ndërkohë që Putini po forcon ndikimin e tij në vend, gjë që Vuçiç duket se e mirëpret”, ka thënë ai.

Profesori amerikan, Ben – Meir, thotë se pajtohet me Kurtin se Asociacioni nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, sepse sipas tij, kjo do ta cenonte sovranitetin e Kosovës. Por, sipas tij, kushti i pestë i Kurtit, i cili thotë se “Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke”, është pika më kritike e dialogut. Ai thotë se njohja e Kosovës nga Serbia “në mënyrë ideale duhet të vendoset, në parim, që nga fillimi i procesit të negociatave dhe të veprohet pasi të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera konfliktuale dhe procesi i normalizimit të vazhdojë në të gjitha frontet, duke përfshirë lidhjet tregtare, shkëmbimet kulturore, import dhe eksport të mallrave në të dy drejtimet, etj”.

Ben – Meir është i mendimit se një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, “është padyshim një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së tensionit mes dy vendeve”. Ajo, sipas tij, do ta reduktonte tensionin dhe do të krijonte atmosferë më të favorshme për t’i zgjidhur problemet mes vete.

Ai thotë se për të arritur deri te momenti i njohjes reciproke do të duhen vite, teksa shton se Vuçiq e di mirë që pavarësia e Kosovës nuk mund të negociohet.

“Kjo do të reduktojë në mënyrë dramatike tensionin dhe do të krijojë një atmosferë më të favorshme për të negociuar dhe zgjidhur shumë nga çështjet konfliktuale mes tyre, nga të cilat të dyja palët mund të përfitojnë reciprokisht. Kjo gradualisht do të çimentojë marrëdhëniet paqësore, ndonëse përpara se të bihet dakord për njohjen e ndërsjellë, e cila mund të pasojë edhe pse mund të duhen ende disa vite për t’u realizuar. Mund të shtoj se Vuçiq e di mirë se pavarësia e Kosovës nuk është e negociueshme”, ka deklaruar ai.

Plani evropian, është pranuar nga kryeministri i Kosovës si një bazë e mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ajo që dihet është se propozimi i BE-së nuk e përmban edhe njohjen reciproke në mes të dyja vendeve. Po ashtu, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në takimin e 27 shkurtit nuk do të negociohet përmbajtja e këtij plani, por vetëm mënyra se si do të zbatohet.

Sipas tij, një marrëveshje e mundshme do të hapte rrugë për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në strukturat e BE-së.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika