Beogradi priti eshtrat e arkitektit të gjenocidit, Ratko Mlladiq, me pishtarë dhe transparente

Eshtrat e Ratko Mlladiqit, i cili vdiq në burgun e Gjykatës së Hagës, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime lufte, u sollën të enjten vonë pasdite në Beograd, me avionin e Qeverisë së Serbisë. Në disa mbikalime mbi autostradën drejt qendrës së Beogradit u mblodhën qindra simpatizantë me transparente ku shkruhej: “Gjeneral, faleminderit”, “Heronjtë nuk vdesin kurrë”.

Pra, përbindëshi i gjenocidit u kthye atje prej nga gjatë gjithë kohës vinte fuqia që e mbështeti, e ushqeu, e pagoi dhe e ruajti, në Beogradin që i brohoret dhe i këndon para syve të gjithë botës. U kthye i vdekur me avion shtetëror, që ta përcjellin mijëra prej atyre për të cilët ky përbindësh është hero.

Sa Mlladiqë të gjallë do të vijnë në varrimin e gjeneralit të vdekur që madhërohet, këtë do të na e tregojnë shifrat e turpit dhe të indoktrinimit serbomadh. Në fakt, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shërbimet e sigurisë presin që në varrim të marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Prandaj, në varrimin e tij mos numëroni të vdekurit dhe të kaluarën; numëroni të gjallët dhe shikoni të ardhmen. Ata do të na tregojnë se sa kriminelë potencialë ka ende mes nesh.
Mos e kuptoni këtë si një numërim morbid të njerëzve në përcjelljen e fundit të dikujt. Numri i njerëzve që të hënën do të vijnë në Varrezat e Topçiderit në Beograd mund të jetë testi më i saktë sociologjik i opinionit publik që është parë ndonjëherë dhe një pranim i Serbisë se ka marrë pjesë në agresionin ndaj Bosnjë-Hercegovinës.

Ndryshe, arkivolin e mbuluar me flamurin e Serbisë e bartën pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, në prani të ministrit të Drejtësisë, Nenad Vujić. A nuk është kjo një dëshmi edhe më e madhe se Serbia ka marrë pjesë drejtpërdrejt në agresionin ndaj Bosnjë-Hercegovinës? Në fund të fundit, Mlladiqi ishte në listën e pagave të Republikës së Serbisë, apo jo?

Prandaj nuk habit gjithë ajo pompë morbide rreth organizimit, nderimeve ushtarake, mbajtjes së ceremonisë përkujtimore dhe organizimit të vetë varrimit për një kriminel lufte, i cili, po të pyetesha unë, duhej të kishte mbetur në Hagë dhe, si kriminel lufte, të varrosej në një vend të fshehtë.

Sepse me ardhjen në Serbi të kriminelit të vdekur të luftës Ratko Mlladiq, të dënuar për gjenocid, populli serb do të mbajë vulën e gjenocidit që është shndërruar në mit nacionalist.

“Ju që brohorisni, bërtisni dhe vajtoni kriminelin e vdekur, jeni Sodoma dhe Gomorra serbe.”
Dëshmi e një primitivizmi të paprecedent.
Pra, një turp që do ta mbajmë të gjithë.