Beteja e Koshares – Gruaja e Agim Ramadanit: Ende s’është përmbushur ideali i heronjve

Në Betejën e Koshares në prill të vitit 1999-të qindra familje në Kosovë humbën më të dashurit e tyre në luftën kundër pushtuesit jugosllavë. Në përvjetorin e kësaj beteje, e cila u udhëhoq nga heroi Agim Ramadani, gruaja e tij Shukrije Ramadani thotë se ende nuk e sheh se është përmbushur ideali i atyre që ranë për liri

Lutjet e nënës për djalin e vrarë s’reshtën kurrë.

Po aq sa nuk u shua kurrë as krenaria e Habibe Dardhishtës për kontributin që djali i tij dha për lirinë e Kosovës.

Bashkë me familjen e saj, të enjten, ajo erdhi tek vendi ku prehet trupi i dëshmorit Zekrija Dardhishta, që ra në Betejën e Koshares në 1999-n.

“E ka kry ushtrinë në Bosnje, më pas si erdh nuk u bë rahat, veç me shku. S’i thashë jo, i thashë shko bre djali jem, Zoti në hajr ishalla”, ka thënë Habibe Dardhishta, nëna e dëshmorit Zekrija Dardhishta.

Insistimin e djalit të tyre për t’iu bashkuar ushtrisë e mban mend mirë edhe babai i dëshmorit.

“Gjithnjë e ka pas këtë në tru qysh me I dalë përballë armikut”, ka thënë Musli Dardhishta, babai i dëshmorit Zekrija Dardhishta.

Një nga betejat më të përgjakshme në Kosovë, atë të 9 prillit 1999 në Koshare e rrëfeu edhe dikush që ishte vetë pjesë e saj.

Ish-komandanti i UÇK-së, Milazim Maraj në përvjetorin e betejës, tregon momentet kur iu desh të tërheq trupat e atyre që ranë për lirinë e shtetit.

“Deri sa të kërcasin pushkët e para është e frikshme, masi të kërcasin pushkët e para s’ka frikë më, sepse pushkët e para vrasin frikët, më pas duhet me i mbrojt ushtarët që nga trimëria e tepruar të mos bien dëshmorë”, ka thënë Milazim Maraj, ish-komandant i UÇK-së.

Në mesin e 114 dëshmorëve që ranë në Betejën e Koshares ishte edhe heroi Agim Ramadani.

Gruaja e tij Shukrije Ramadani thotë se ende sot nuk e sheh që ideali i heronjve është përmbushur plotësisht.

“Jo nuk është përmbushur, ajo që është arritur deri më tani, ende nuk është përmbushur në emër të çdo dëshmori dhe martiri, ka edhe shumë punë. Por besoj që jemi në një rrugë të drejtë dhe mund të kalojmë këtë rrugë”, ka thënë Shukrije Ramadani, gruaja e heroit Agim Ramadani.

Bashkë me Agim Ramadanin, rrugëtimin në luftë e kishte kaluar edhe dëshmori Kasim Uka.

“Pas ofensivës kanë shku në Tiranë, atje i është bashku Agim Ramadanit e Salihut, deri më 9 prill kur është…”, ka thënë Përparim Uka, vëllai i dëshmorit Kasim Uka.

Beteja e Koshares u zhvillua më 9 prill 1999-të deri më 10 qershor 1999-të, në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika