Bislimi: Kanceri i gjirit ka shënuar rritje prej 15-20 për qind në krahasim me vitin e kaluar

Kryetari i Shoqatës së Onkologjisë, Arben Bislimi, i ftuar në emisionin "Magazina" në Radio Dukagjini ka thënë se mënyra e vetme e manaxhimit të kësaj sëmundje është diagnostifikimi i hershëm i kancerit të gjirit

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve, Arben Bislimi i ftuar në emisionin "Magazina" në Radio Dukagjini





Në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini me Blerina Neziri Abazi dhe Lirik Sylmetaj ishte i ftuar kryetari i Shoqatës së Onkologëve Arben Bislimi, njëkohësisht edhe doktor, për të biseduar për muajin sensibilizues ndaj kancerit të gjirit, i cili njihet ndryshe si “Tetori rozë”.

“Kanceri i gjirit si sëmundje ka shënuar një rritje prej 15-20 për qind në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë Arben Bislimi.

Bislimi ka treguar se deri në shtator të këtij viti janë diagnostifikuar 292 raste me kancer të gjirit, në rritjen e këtyre rasteve kanë ndikuar faktorët relevantë si vonesa e kontrollit në klinika.

Doktori Bislimi ka thënë se shkaktari kryesor i kancerit te gjirit është ende i panjohur por faktorët kryesorë janë mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti e të tjerë. Ndërsa për mënyrën e vetme të menaxhimit të kësaj sëmundje është diagnostifikimi në fazë të hershme.

“Vetë fakti i të qënurit femër është një risk duke marrë marrë parasysh ndërtimin anatomik por këtu nuk përjashtohen as meshkujt”, ka thënë Bislimi për rrezikshmërinë që bart kjo sëmundje.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve ka shtuar se çdo femër mbi moshën 25-vjeçare të mos e neglizhojnë asnjë ndryshim në trupin e tyre. Ndërsa, për femrat në moshën 40-45 vjeçare të bëjnë një memografi së paku një here në vit. Për kostot që nevojiten për t’i kryer këto kontrolla , Bislimi tha se nuk janë të larta.

Më tej, ai ka thënë se moshat e shtyera janë më të atakuara ndaj kancerit të gjirit dhe mesatarja e viteve më të rrezikuara mund të jetë 45-51 vjeçare. Por sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me moshën.

Doktori Arben Bislimi ka treguar për momentet kur pacientët përballen me realitetin dhe shtoi se doktorët po e luajnë dhe rolin e psikologut në kontaktin e parë me pacientin në këto çaste. Sepse sipas tij ka shumë rëndësi çasja e parë me pacientin për shkak të  ndjeshmërisë.

Mes masave parandaluese ndaj kancerit të gjirit, doktori Bislimi ka përmendur shmangien ndaj stresit, ushqyerjen e shëndetshme dhe stilin e të jetuarit shëndetshëm.

Ai ka përfunduar duke thënë se nuk duhen hezituar kontrollat me mjekun, sipas tij më mirë të gabojmë 10 herë dhe të na del mirë sesa hera e 11-të të jetë ajo që ne nuk dëshirojmë.