Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane, teksa ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave ai është pyetur edhe për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
E për këtë, Bislimi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka një zgjidhje, për të cilën do të flasë sot (të mërkurën) e 5 tetorit.
“Unë mendoj që në Kosovë është vetëm një ligjërues i rolit të Sindikatave, veç unë u ligjëroj Sindikatave, mund t’u ligjërojë 16 ditë nëse doni, por jo në Komision për Integrime Evropiane. Ne e kemi zgjidhjen, sot del kryeministri e tregon zgjidhjen”, ka deklaruar Bislimi.
Ndonëse procesi mësimor në nivel vendi ka filluar të hënën e tre tetorit, greva në arsim po sjell pasojat e veta.
Sindikalistët kanë mbajtur grevën me kërkesë kyçe për ndarje të 100 eurove për punëtorë, për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se do të ketë ekzekutim të pagave vetëm për punëtorët e arsimit të cilët nuk kanë qenë në grevë.
“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka thënë se në takimet me Sindikatën e Arsimit, kanë diskutuar në lidhje me kompensimin e pagave nga vetë sindikata, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Por, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se vendimin për mosekzekutimin e pagave, do ta dërgojnë në Gjykatë.
Kështu ka thënë për Portali Dukagjini, nënkryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.
Ai e ka konsideruar si cenim të të drejtave të punëtorëve dhe shkelje ligjre, vendimin e Qeverisë.
“Është cenim i të drejtave të punëtorëve por njëkohësisht edhe shkelje e ligjeve ekzistuese në Kosovë në bazë të kërkesës që e kemi bërë, në rast se Qeveria na dërgon një vendim të marrë nga kushdo qoftë, atëherë ne do të nisim procedurat gjyqësore”, ka thënë Ymeri.
Ai ka theksuar se përmes këtij vendimi po tentohet shkatërrimi i anëtarësisë së SBASHK-ut.
“Veprimi për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit është një tentim i Ministrisë së Financave për ta shkatërruar anëtarësinë e SBASHK-ut”, shtoi Ymeri.
Ndryshe, Nagavci ka thënë të martën se komunat nuk i kanë raportuar Ministrisë së Financave listat e punëtorëve për muajin shtator.
Sipas saj, komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe janë punëdhënëse të këtyre institucioneve.
Por, këtë e ka mohuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para datës 10 shtator.
“Kjo deklaratë e ministres nuk qëndron. Të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit dhe niveli qendror e ka obligim ligjor t’i ekzekutojë pagat prej listave të pagave që dorëzohen nga komunat e jo të ndërhyjë se kujt duhet t’i bëhet pagesa e kujt jo”, është shprehur Ibrahimi.
“Vetëm sektori i arsimit është i prekur nga kjo. Ne po shpresojmë dhe duam të besojmë që deri më 5 tetor kur edhe mbaron afati ligjor për ekzekutimin e pagave të merret parasysh. Po presim se çka do të ndodh deri nesër”, shtoi ai.
E njëjta ka ndodhur edhe me punëtorët e arsimit në komunat ebanuara me shumicë serbe.
Sipas tij, të njëjtit ani pse nuk kanë mbajtur grevë, nuk janë paguar për muajin shtator.