Brenda hapësirave të Pallatit të Drejtësisë shumë shpejt do nisë së funksionuari edhe një institucion tjetër gjyqësor, Gjykata Administrative.
Ligji për këtë gjykatë që do të trajtojë vetëm rastet administrative, ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti dhe parasheh që funksionimi i Gjykatës të nisë jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë thënë se janë në fazën përfundimtare të finalizimit të planit për funksionalizimin e kësaj gjykate.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është në fazën përfundimtare të finalizimit të planit për funksionalizimin e Gjykatës Administrative, brenda afateve kohore të parashikuara me ligj, duke u përpjekur që procesi të realizohet sa më shpejt. Plani për funksionalizimin e gjykatës përfshin disa veprime kryesore: Transferimin e gjyqtarëve; Plotësimin e pozicioneve menaxheriale dhe të stafit mbështetës; Transferimin e lëndëve; Miratimin e legjislacionit dytësor; Sigurimin e hapësirave të gjykatës. Përveç këtyre, KGJK ka bërë përgatitjet në kohë për themelimin e Gjykatës Administrative, duke miratuar organogramin e saj, i cili përmban 80 pozita, prej të cilave 23 janë për gjyqtarë. Po ashtu, janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar funksionimin efikas dhe të rregullt të gjykatës. Gjithashtu, ju informojmë se puna në këtë gjykatë do të zhvillohet në objektin e Pallatit të Drejtësisë”.
Sipas Vullnet Bugqkut, nga Instituti Demokratik i Kosovës, formimi i kësaj gjykate do ta lehtësojë punën për gjykatat e tjera.
“Marrë për bazë edhe vëllimin e madh të lëndëve që janë mbledh dhe që janë shkaktuar shumë vonesa në departamentin për çështje administrative unë mendoj që themelimi i kësaj Gjykate ka edhe një aspekt pozitiv sa i përket zgjidhjes efikase dhe të shpejtë të rasteve dhe konteksteve të natyrës administrative dhe besoj që kanë me i korrektu më mirë ligjshmërinë e vendimeve dhe veprimeve të organeve administrative në Kosovë”, ka theksuar Vullnet Bugaqku- Hulumtues në KDI.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala shpreson se kjo gjykatë do jetë më efikase në përfundimin e rasteve.
“Besoj që pasi të fillojë punën Gjykata Administrative do jetë shumë më lehtë edhe për qytetarët edhe lëndët do kryhen në një kohë më të arsyeshme ngase edhe do të zbrasen nga gjykatat themelore që janë departamenti administrativ kështu që shpresoj që do kemi një punë të mbarë për qytetarët që kanë probleme me çështje administrative ngase në këtë gjykatë do themelohen edhe departamentet e veçanta, një ndër to do jetë edhe departamenti i punës që i liron gjykatat”, ka deklaruar Hasan Shala – Ish kryetar i Gjykatës së Apelit.
Sipas ligjit, Gjykata Administrative do ketë katër departamente – Departamentin Fiskal, për Konteste të Punës, për Skemat Sociale dhe Pensionale si dhe Departamentin e Përgjithshëm.
