BSPK: Grevë më 12 maj e më pas protestë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) paralajmëron grevë më 12 maj dhe më 20 maj protestë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka vendosur se më 12 maj të gjithë punëtorët e sektorit publik të mbajnë grevë njëorëshe.

Kjo për shkak të mosplotësimit të kërkesës së tyre, për 100 euro shtesë çdo muaj, deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Pos kësaj, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka treguar se më 20 maj do të mbahet një protestë në Prishtinë.

“Ne sot vendosëm që krahas që është hapur një tunel i vogël i dialogut social me Qeverinë e Kosovës, do të vazhdojmë me veprimet tona. Më datën 12 maj kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orshe për të gjithë të punësuarit e Kosovës dhe vazhdojmë me protestën me 20 maj dhe veprimet tjera sindikale”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se dera për dialog me qeverinë nuk është e mbyllur.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj

“Pas kësaj greve do të kemi një protestë madhështore, ku të gjithë të punësuarit e Kosovës do të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’. Dhe nëse edhe nuk reflektojnë sa duhet dhe nuk arrijmë marrëveshje, atëherë pas protestës, sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor, por edhe tërë sektorët e tjera”, është shprehur ai.

Greva e paralajmëruar të ndodhë më 20 prill të vitit 2022 nga SBASHK-u, nuk është mbajtur.

Kjo për shkak se, Qeverisë së Kosovës i ishte dhënë afat edhe një javë që t’i plotësojë kërkesat e tyre.

Derisa SBASHK-u kishte paralajmëruar edhe më herët për veprime sindikale, të njëjtat, janë konsideruar si dëmtim i procesit mësimor.

Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Dukagjin Pupovci, kërkesa e SBASHK-ut për nga 100 euro shtesë për çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave është shantazh i drejtpërdrejtë.

Në anën tjetër, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk është koha për grevat e paralajmëruara nga SBASHK.

Ndryshe, Kurti të martën e 12 prillit, ka njoftuar se për muajin prill do të ndahen nga 100 euro, për studentët, pensionistët si dhe për punëtorët e sektorit privat dhe publik.

Këtë e kishte bërë të ditur në një konferencë  të përbashkët për media me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai kishte deklaruar se për pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik shtesa prej 100 euro për muajin prill mund të ekzekutohet menjëherë, ndërkaq për punëtorët e sektorit privat dhe studentët nevojitet që të hapet procesi i aplikimit.

“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat”.

“100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Ai ishte shprehur se nga kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, derisa bëri të ditur se do të miratohet projektligji për rritjen e pagës minimale dhe heqjen e tatimit në 250 euro pagë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika