Vazhdojnë protestat në universitetet amerikane

Protestat në mbështetje të palestinezëve në universitetet amerikane nuk treguan ndonjë shenjë ngadalësimi ndërsa u zgjeruan në mbarë vendin gjatë fundjavës. Ndërhyrjet e policisë dhe arrestimet vazhduan ndërsa studentët zotohen të vazhdojnë të qëndrojnë në tenda derisa të miratohen kërkesat e tyre

Protestat në mbështetje të palestinezëve në universitetet amerikane nuk treguan ndonjë shenjë ngadalësimi ndërsa u zgjeruan në mbarë vendin gjatë fundjavës. Ndërhyrjet e policisë dhe arrestimet vazhduan ndërsa studentët zotohen të vazhdojnë të qëndrojnë në tenda derisa të miratohen kërkesat e tyre.

Ndër kërkesat e studentëve janë që nga vendosja e një armëpushimi në luftën e Izraelit me Hamasin, thirrjet për universitetet që të shkëputen nga bizneset izraelite të përfshira me aktivitetet ushtarake dhe deri tek dhënia fund e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin.

Protestat në mbështetje të palestinezëve u përhapën në kampuset universitare në Shtetet e Bashkuara pas arrestimit të mbi 100 personave në Universitetin e Kolumbias një javë më parë.

Një zëdhënës i këtij universiteti i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kampusi ishte i qetë të shtunën dhe nuk pati raportime për arrestime apo trazira gjatë fundjavës.

Por, operacionet e policisë vazhduan të shtunën në kampuset universitare, si në Universitetin e Kalifornisë së Jugut (USC). Mbi 200 persona u arrestuan në disa universitete, përfshirë 80 të arrestuar në orët e vona të së shtunës në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis. Ndër të arrestuarit ishte edhe kandidatja për presidente e Partisë së Gjelbër, Jill Stein. Të dielën priteshin demostrata nga dy palët në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, në Los Anxhelos.

Anëtarët e Qendrës Harriet Tubman për Drejtësinë Sociale do të mbështesin të drejtën e studentëve për të protestuar, ndërkohë që një grup i quajtur “Qëndroni me Ne” do të organizojë një tubim në mbështetje të studentëve hebrenj dhe kundër antisemitizmit.

Protestat mbarëkombëtare kanë tërhequr vëmendjen e presidentit Joe Biden.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, i tha kanalit televiziv ABC News të dielën se presidenti e di që ekzistojnë ndjenja shumë të forta për luftën në Gazë.

“Ai e kupton; ai e respekton këtë dhe siç e kemi thënë disa herë, ne sigurisht respektojmë të drejtën e protestës paqësore”, tha zoti Kirby. “Njerëzit duhet të kenë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të ndajnë publikisht qëndrimet e tyre, por kjo duhet të jetë paqësore”.

Zoti Kirby shtoi se presidenti dënon antisemitizmin dhe gjuhën e urrejtjes./VOA

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika