Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka paralajmëruar rikthimin e tregut të gjelbër në zemër të qytetit, por këtë herë me standarde të reja dhe kushte moderne.
Në një postim në Facebook, Buja theksoi se tregu nuk do të jetë më i improvizuar apo pa kushte, por një hapësirë funksionale dhe dinjitoze, e cila do t’u shërbejë çdo ditë qytetarëve me produkte të freskëta, të shëndetshme dhe të sigurta.
“Tregu i gjelbër po rikthehet – aty ku ka qenë gjithmonë, në zemër të Lipjanit.
Por jo si më parë – jo i improvizuar, jo pa kushte.
Por si një hapësirë moderne, funksionale dhe dinjitoze.
Një treg që do t’u shërbejë çdo ditë qytetarëve, afër shtëpive të tyre, me produkte të freskëta, të shëndetshme dhe të sigurta.
Ky projekt nuk është thjesht ndërtim tregu, por rikthim i identitetit të qytetit dhe mbështetje për fermerët dhe prodhuesit lokalë.
Do të krijojmë një hapësirë sociale, edukative, rekreative dhe kulturore – një qendër komunitare, jo vetëm një vend tregtie.
Brenda projektit, do të ndërtojmë edhe parkingje nëntokësore me kapacitet 110 automjetesh – për të lehtësuar qarkullimin dhe për të liruar hapësirat publike”, ka shkruar Buja.