Njohësi i çështjeve politike Muhamet Bytyçi ka deklaruar se zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë rezultuar me një proces të rëndë dhe të dëmtuar, duke theksuar se standardet zgjedhore të proklamuara ndër vite nuk janë arritur.
Duke folur në një lidhje direkte në emisionin FIVE, Bytyçi tha se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ruajtjen e standardeve demokratike, procesi zgjedhor ka dështuar të përmbushë pritjet.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë dalë me një proces shumë të lënduar. Nuk janë arritur standardet të cilat i kemi proklamuar dhe për të cilat është bërë thirrje nga të gjithë që të ruhen”, ka thënë ai.
Bytyçi e ka cilësuar si lajm të mirë vendimin për rinumërim të votave, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të së vërtetës për gjithë procesin zgjedhor, jo vetëm për Prizrenin.
“Sa i përket vendimit për rinumrim, besoj se është lajm i mirë, sepse është shumë e rëndësishme të dihet e vërteta e gjithë procesit. Prizreni nuk mund të jetë rast i izoluar, pasi kemi parë përpjekje për manipulim nga të gjitha partitë politike në nivel vendi”, u shpreh ai, duke shtuar se vetëm pas rinumërimit edhe në komunat e tjera do të kuptohet niveli real i keqpërdorimeve.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te aspekti procedural apo te komisionerët zgjedhorë, por është shumë më i thellë dhe lidhet me etikën politike dhe funksionimin e sistemit.
“Ajo që është lajm i keq është se po tentohet të adresohet problemi vetëm te procedurat apo te komisionerët. Unë mendoj se problemi është shumë më i thellë, është etik dhe moral, si nga ana e deputetëve të partive politike, ashtu edhe nga vetë sistemi që ka lejuar të prodhohet një rezultat i tillë”, ka theksuar Bytyçi.
Ai ka kujtuar edhe vendimin për shkarkimin e ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, duke e cilësuar atë si paralajmërim për degradimin e procesit zgjedhor.
“Vendimi për shkarkimin arbitrar të Valdete Dakës ka qenë paralajmërim se po hyjmë në një fazë ku zgjedhjet rrezikojnë të shndërrohen në farsë dhe të mos jenë më proces demokratik që prodhon pozitë dhe opozitë”, ka shtuar ai.
Në fund, Bytyçi ka theksuar se përgjegjësia kryesore për atë që ai e quan “vjedhje industriale të votës” nuk qëndron te komisionerët, por te partitë politike dhe kandidatët.
“Në këtë proces, apo në këtë vjedhje industriale që ka ndodhur, mendoj se më shumë se komisionerët, përgjegjëse janë partitë politike dhe vetë kandidatët”, ka përfunduar Bytyçi.