Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se projekti për sheshin “Xhorxh Bush” është i kundërligjshëm dhe ka theksuar se përplasja e vetme e kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama nga LDK, është me ligjin.
“Fillimisht asnjë përplasje me mua, përplasjen e vetme zoti Rama e ka me ligjin. Edhe këto punime që po zhvillohen këtu janë të kundërligjshme sepse projekti i sheshit Xhorxh Bush nuk ka as lejen e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës, e lëre më pëlqimin e Institutit të Monumenteve, i cili para më shumë se 6 muajve i ka dhënë rekomandimet komunës për t’i adresuar në projekt. Kontrata është e kundërligjshme sepse paramasa nuk përputhet me vlerën e kontratës, për rreth 1.2 milionë euro, dhe kjo përbën shkelje sipas ligjit të prokurimit dhe një mori shkeljesh të tjera”, ka deklaruar Çeku drejtpërdrejt para debatit final për Prishtinën në Debat Plus.
Ai ka shtuar se rruga që po quhet shesh duhet të hapet urgjentisht dhe se kjo do të ndodhë menjëherë pas marrjes së detyrës së kryetarit nga ai.
“Të vetmin ballafaqim zoti Rama e ka me ligjin sepse nuk e respekton ligjin. Kjo rrugë që po quhet shesh duhet të hapur urgjentisht dhe kështu do të ndodhë me urgjencë kur ta marrë detyrën e kryetarit”, ka deklaruar ai.