Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha sot se nuk ka asnjë mesazh të ri për Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe se është duke pritur vendimin e tij.
“Nuk kam ndonjë mesazh për Presidentin Putin. Ai e di qëndrimin tim për këtë çështje dhe do të marrë një vendim në një mënyrë ose në një tjetër. Cilido qoftë vendimi i tij, ne ose do të jemi të kënaqur ose të pakënaqur, dhe nëse jemi të pakënaqur, do të shihni se çfarë do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton Reuters.
Trump vlerësoi gjithashtu se parada ushtarake në Kinë ishte një “ceremoni e këndshme”, por shtoi se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin përmendur në fjalim.
“Mendoj se ishte një ceremoni e bukur, shumë mbresëlënëse. E pashë fjalimin mbrëmë. Presidenti Xi është një mik i imi, por mendoj se Amerika duhej të ishte përmendur sepse ne e kemi ndihmuar shumë Kinën”, tha Trump.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan konfirmoi se forcat amerikane do të mbeten në Poloni dhe se ai është gati të dërgojë më shumë trupa nëse kërkohet.
Trump i bëri deklaratat për gazetarët gjatë një takimi me presidentin polak Karol Nawrocki.
Edhe pse mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa është përmendur shpesh që nga fillimi i mandatit të Trump, Trump theksoi se trupat në Poloni do të mbeten.