Çfarë dihet deri tani për vdekjen e dyshimtë të 27-vjeçarit në Lipjan

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të 7 korrikut në qytetin e Lipjanit, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pas një ndërhyrjeje nga ana e Policisë së Kosovës. 

Rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 00:15, qytetarë kanë raportuar se një person me veturë po sulmonte kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami”. Pas thirrjes, njësitë policore kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar të dyshuarin, duke i vendosur prangat.

Policia njoftoi se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit mjekësor, i riu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pas rastit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet dhe ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë – një rreshter dhe katër policë patrullues. Më pas, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ata janë arrestuar dhe ndodhen në ndalim 48-orësh, ndërsa hetimet po vazhdojnë për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

IPK ka bërë të ditur se janë duke u analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e qytetarëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Familja e të ndjerit ka ngritur dyshime serioze për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë. 

Vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për mediat: “Dora e shtetit na e ka vra. Kishte shenja në fytyrë dhe trup, sikur të ishte rrahur keq. Fillimisht na thanë që ka qenë infarkt apo nga alkooli, por shihet qartë se është vrarë nga disa policë”.

Për këtë rast ka folur edhe një mjeke e emergjencës që ishte pjesë e ekipit që intervenoi në vendin e ngjarjes.

“Thirrja erdhi rreth orës 12 të natës. Na u tha se bëhej fjalë për disa persona të dehur. Kur arritëm, njëri prej tyre ishte i shtrirë pa shenja jete, ende me pranga. Kërkuam të hiqeshin prangat, por ndihma e parë nuk pati sukses. Më pas u njoftua forenzika,” ka deklaruar ajo për media.

Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte paralajmëruar se personi ishte pa ndjenja apo në gjendje të rëndë.

Pritet që autopsia të zbulojë shkaqet e sakta të vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

Të fundit nga rubrika