Cisterna e sekuestruar nga SHBA-ja afër Venezuelës, dyshohet për kontrabandë nafte iraniane

Forcat amerikane kanë sekuestruar një cisternë nafte në Karaibe, e cila ishte nën sanksione të Thesarit të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2022, nën dyshimet se ishte pjesë e një rrjeti global për kontrabandimin e naftës iraniane.

Sipas njoftimeve të Thesarit, rrjeti udhëhiqej nga Viktor Artemov, një shtetas ukrainas me lidhje me Hezbollahun dhe Forcën Kuds të Gardës Revolucionare Islamike iraniane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për sekuestrimin e cisternës gjatë një prononcimi në Shtëpinë e Bardhë më 10 dhjetor.

Një video e publikuar nga Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tregon helikopterë dhe forca speciale duke marrë kontrollin e anijes.

Bondi tha se cisterna ishte përdorur për transportin e naftës së sanksionuar, duke përfshirë edhe naftën venezuelase.

“Për shumë vite, kjo cisternë ishte pjesë e rrjetit të paligjshëm që mbështeste organizata terroriste të huaja. Hetimet tona me Departamentin e Sigurisë së Brendshme për të ndaluar transportin e naftës së sanksionuar po vazhdojnë,” shkroi ajo në rrjetet sociale.

Venezuela ka reaguar duke e cilësuar sekuestrimin si “akt piraterie” dhe “krim të rëndë ndërkombëtar”.

Anija, aktualisht e quajtur The Skripper, më parë njihej si Adisa. Në vitin 2022, Thesari e listoi atë së bashku me tetë anije të tjera si pjesë e një rrjeti global që përdorte kompani fiktive për të fshehur origjinën iraniane të ngarkesave dhe për t’i eksportuar ato në mbështetje të Hezbollahut dhe Forcës Kuds.

Ky operacion është një shembull i “flotës në hije”, një metodë e zakonshme e përdorur nga shtete si Rusia, Irani dhe Venezuela për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Të fundit nga rubrika