Çitaku: Qytetarët të votojnë lirshëm – të mos ketë intimidim, frikësim apo abuzim të pushtetit

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka ftuar të gjithë qytetarët e komunave në balotazh të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Çitaku, në një konferencë për media, tha se këto zgjedhje nuk janë vetëm për një kandidat apo për një parti, por për drejtimin e komunave, për cilësinë e jetës dhe mënyrën e qeverisjes në nivel lokal për katër vitet e ardhshme.

“Kandidatët tanë janë më afër qytetarëve, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për t’u shërbyer me korrektësi dhe përulësi. Çdo votë është një vendim për të ardhmen, dhe sot, është dita që përcakton katër vitet e ardhshme. Le të mbajmë këtë ditë demokratike deri në fund të saj me qetësi, korrektësi dhe respekt ndaj secilit votues”, ka bërë thirrje ajo.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme që mos të ketë intimidim, frikësim apo edhe abuzim të pushtetit.

“Si sekretare e përgjithshme e një subjekti politik dhe si një njeri që ka qenë aktivisht e angazhuar në politikë, e di që për çdo zyrtar të lartë partiak zgjedhjet janë vendime partiake dhe është e natyrshme që secili të angazhohet për fitoren aty ku garon. Por, është shumë me rëndësi mënyra se si angazhohet, është me rëndësi të mos ketë intimidim, frikësim apo abuzim të pushtetit. Njerëzit që janë të veshur me fuqi politike e institucionale duhet të jenë shumë të vëmendshëm në mënyrën se si e manifestojnë atë pushtet. Sot kemi parë pamje jo të këndshme edhe në Prishtinë, ku një qytetar xhirohet nga një person i veshur me pushtet dhe i rrethuar me bodyguardë. Pamje të tilla, përveç që janë të vrazhda dhe nuk i shërbejnë demokracisë, do të duhej të ishin të dënueshme. Qytetarët duhet të lihen të lirë dhe të votojnë vet”, tha ajo në konferencën për media.

Çitaku tha se raportet nga terreni nga ekipet lokale tregojnë se dalja e qytetarëve në votime po rritet nga ora në orë dhe pritet që pjesëmarrja e tyre të shtohet edhe më shumë në orët e fundit, si zakonisht.

“Kanë kaluar tashmë nëntë orë nga hapja e vendvotimeve, dhe procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa incidente serioze. Mirënjohje për punën e komisionerëve, vëzhguesve dhe gjithë qytetarëve që po kontribuojnë për një ditë zgjedhore të rregullt, transparente dhe demokratike. Siç e dini, Partia Demokratike e Kosovës garon sot në gjashtë komuna të vendit: Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash. Në secilën prej tyre, qytetarët po e shprehin vullnetin e tyre për punë, për zhvillim dhe për përgjegjësi”, ka shtuar ajo.

Çitaku ka ftuar të gjithë akterët politikë dhe çdo person që mban përgjegjësi publike, që sot të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, duke mos kontribuar në asnjë formë në tensionimin e situatave në asnjë komunë të vendit, por përkundrazi, t’u mundësojnë qytetarëve të votojnë lirshëm, qetë dhe në mënyrë plotësisht demokratike.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika