Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e akuzuar se i ka mohuar ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës – i njohur si “Cali” – të drejtën për t’u takuar për herë të fundit me babanë e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se babai i Calit ka ndërruar jetë pa pasur mundësinë ta shohë dhe ta përqafojë të birin për herë të fundit, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të të drejtave themelore njerëzore.
“Baba i Calit ndërroi jetë pa pasur mundësinë që, për herë të fundit, t’ia shtrëngojë dorën të birit. Pa pasur mundësinë ta përqafojë, të çmallet, qoftë edhe për pak çaste, para se të largohej nga kjo botë. Calit iu mohua takimi i fundit me të atin. Kjo nuk është drejtësi. Kjo nuk është njerëzi. Gjykatë e turpshme”, ka shkruar ajo.