Çitaku – Kurtit për formimin e qeverisë: Ti kërkon nënshtrim, jo marrëveshje

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ai nuk synon marrëveshje për qeverisje, por nënshtrim të partnerëve politikë.

Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të Kurtit gjatë një takimi me mërgatën në Londër, ku Kurti tha se i kishte bërë ofertë bashkëqeverisjeje Nismës, por arritja e marrëveshjes nuk është e lehtë për shkak të xhelozisë dhe inateve politike.

Sipas Çitakut, përdorimi i misioneve diplomatike të Kosovës për interesa partiake nga VV është abuzim i skajshëm me institucionet shtetërore.

“Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kurti është mandatar i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër dhe ka kohë deri të dielën për të paraqitur në Kuvend propozimin për votim të Qeverisë.

Për ta formuar atë, ai ka nevojë për mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila doli parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Për të formuar qeverinë, LVV mund të mbështetet edhe nga 7 deputetë të komuniteteve joserbe dhe nga Nenad Rashiq.

Të fundit nga rubrika