Deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka publikuar një video ku dëgjohet kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari t’i thotë “të rrijë” Sala Jasharit.
Përmes kësaj video-je, Çitaku e ka kritikuar Deharin për përdorimin e gjuhës së papranueshme.
“Kryesuesi i Kuvendit, ashtu siç ka vepruar tash e gati pesë muaj, edhe sot udhëhoqi me arbitraritet – duke na e mohuar kërkesën krejtësisht legjitime për një konsultim 10-minutësh, para votimit për deputetin Dimal Basha – i cili edhe vetë dukej i befasuar nga ky propozim. Si pasojë, ne nuk votuam kundër, por abstenuam. Në këtë video vërtetohet qartë, jo vetëm se Kryesuesi e ka dëgjuar dhe parë kërkesën tonë, por dëgjohet edhe gjuha e papranueshme që ai përdori ndaj deputetes më të re të Kuvendit, Sala Jashari, e cila insistonte për pauzën 10-minutëshe: “Veç rri ti, veç rri. Edhe unë po i dëgjoj, sikur ti që i dëgjon”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kërkuar nga Dehari që ta udhëheqë kuvendin me respekt, dialog dhe përgjegjësi institucionale.
“Prandaj, e ftojmë Kryesuesin që të reflektojë dhe të udhëheqë Kuvendin me respekt, dialog dhe përgjegjësi institucionale – siç i takon”, ka kërkuar Çitaku.