Një javë pasi kryeparlamentari i ri e konsideroi të konstituuar Kuvendin e Kosovës, Gjykata Kushtetuese mori vendim që puna e këtij të fundit të pezullohet deri më 30 shtator.
Për analistë politikë, një vendim i tillë nga ana e Kushtetues tregon se Kuvendi vetëm i konstituuar nuk është.
Për rrjedhojë, partitë politike mbesin në pritje të vendimit përfundimtar të Kushtetueses për kërkesën e Listës Serbe lidhur me mos zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit.
“Do të ishte absurde që të bënin ndonjë veprim tjetër në këtë situatë. Pasi të bëhet i ditur, subjekte politike parlamentare nuk i mbetet asgjë tjetër përpos se ta zbatojnë vendimin final të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë analistit Afrim Kasolli.
Sipas Kasollit, një situatë e tillë do të sjellë nevojën për marrëveshje politike në të ardhmen ose në të kundërtën vendi do shkoj drejt thellimit të krizës politike.
“Të gjitha subjektet politike në masë të madhe po iu konvenon kjo zhagitje e formimit të institucioneve, të gjitha janë duke pritur në krijim të disa rrethanave më të favorshme, secila për vete dhe është e qartë që para zgjedhjeve lokale, nuk do të ketë zgjedhje nacionale dhe zgjedhjet lokale do ta kristalizojnë më tepër gjendjen, se a do të kemi koalicion të ri qeveritar apo zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shtuar Kasolli.
Analisti tjetër Belgzim Kamberi thotë se kjo situatë po përdoret nga partia fituese për t’u paraqitur kinse është e interesuar për formimin e institucioneve të reja, dhe në të njëjtën kohë, sipas tij, po përpiqet t’ua lë fajin ish-partive opozitare.
“Gjendja do mund të sqarohet thuajse vetëm nga versioni juridiko-kushtetues se është Gjykata Kushtetuese ajo e cila mbetet e vetmja që mundet të sqarojë jo vetëm normat kushtetuese se si mund të rrjedhë procesi por edhe t’ia jap një dimension politik kësaj beteje politike që po ndodhë mes LVV dhe ish-partive opozitare”, ka thënë Kamberi.
Përpos pezullimit të punës së Kuvendit, deri në fund të muajit, Kushtetuesja ka ndaluar edhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë së re.
Kritika ndaj Kushtetueses për këtë vendim ka adresuar Lëvizja Vetëvendosje duke e akuzuar Gjykatën se po ia mban anën Listës Serbe, duke e vlerësuar vendimin në kundërshtim me funksionimin e Kuvendit. Kurse për situatën, LDK-ja ka akuzuar Vetëvendosjen se po synon të përfitojë elektorat.