Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, si dhe sulmet hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane dhe izraelite në Lindjen e Mesme, kanë shqetësuar zinxhirin global të furnizimit me energji.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, po tregtohej në 79.41 dollarë për fuçi të hënën në mëngjes, një rritje prej 9% krahasuar me 72.87 dollarët të premten, duke arritur nivelin më të lartë në shtatë muaj.
Ndërkohë, nafta West Texas Intermediate, prodhim amerikan, po tregtohej në 72.79 dollarë për fuçi, rritje 8.6% nga 67 dollarë të premten.
Tregtarët presin që furnizimi me naftë nga Irani dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme mund të ngadalësohet ose të ndalet përkohësisht, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë derisa të arrihen objektivat e SHBA-së.
Të gjithë sytë janë tek Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore me naftë detare.
Tankerët që kalojnë aty transportojnë naftë dhe gaz nga Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani. Edhe pse ngushtica nuk është bllokuar ende, monitorimet tregojnë tankerë të grumbulluar nga të dyja anët, të shqetësuar për sulme ose pa mundësi sigurimi për udhëtim. Të dielën, dy anije u sulmuan në këtë zonë.
Jorge Leon, ekspert për analizën gjeopolitike në Rystad Energy, tha për Reuters se “ndalesa efektive e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit po ndalon 15 milion fuçi nafte në ditë të arrijnë tregjet, dhe nëse nuk ka shenja de-eskalimi, pritet rritje e ndjeshme e çmimeve të naftës”.
Rritja e çmimeve të energjisë do të ndikojë drejtpërdrejt tek konsumatorët, duke rritur kostot për karburant dhe ushqime, në një periudhë ku inflacioni është i lartë.
Përpara përshkallëzimit të konfliktit, Irani kishte mbyllur përkohësisht pjesë të Ngushticës së Hormuzit për stërvitje ushtarake në mes të shkurtit, duke shkaktuar rritje prej 6% të çmimeve të naftës.
Në këtë kontekst, tetë vende anëtare të OPEC+ njoftuan të dielën se do të rrisin prodhimin me 206,000 fuçi në ditë në prill, përfshirë Arabinë Saudite, Rusinë, Irakun, Emiratet, Kuvajtin, Kazakistanin, Algjerinë dhe Omanin.
Indeksat kryesore të aksioneve në Azi dhe Evropë kanë pësuar rënie për shkak të tensioneve, ndërsa dollarit i është përfituar si monedhë sigurie, raporton Al Jazeera.
Eksportet ditore të Iranit janë rreth 1.6 milion fuçi, kryesisht për Kinën, e cila mund të kërkojë furnizime alternative nëse eksportet iraniane ndalen, duke ndikuar më tej çmimet e energjisë. Sidoqoftë, Kina ka rezerva strategjike të mjaftueshme dhe mund të rrisë importet nga Rusia.
